Çaste poetike me poeten;- Zaide NOKA

NË PETALET E LULEZOJËS

—————————————–

Po bien piklat e shiut

Mblidhi në oazin e shpirtit,

Krejt të tejdukshme të shndrisin.

Zërin e çjerrë të sorrës së zezë

E mbyt melodia hyjnore e këngës së bilbilit

Që akordon notat muzikore në çdo zemër.

Ja dhe era fshikëllon në petalet e lulezojës,

Tinëzisht deh njeriun që bredh buzët në të…

Për intriga resh mos hiq dorë

Nga vallja e zogjve,

Elegancë e botës së qiellit,

Dhe të dëgjosh thashethemnajën ordinere

që aty-këtu meket prej frikës.

Nuk ka kohë…

Toka rrëzë shkëmbit

Ia shtron rrugën e argjendë zallit…

Fusha e blertë ia merr gëzimin në thellësi tokës,

E qeshura e fëmijës vesh me ngjyra jetën…

/QendraPress/