Çaste poetike me poetin:-Ismail XHAFERI

Baladë për Shote Galicën
————————————
Tundet një gërshet mbi supe,
Tundet si gjalmi mbi pushkë,
Ç’është kjo vajzë, ç’është kjo grua,
Që i nis burrat në luftë?!
Vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe,
U bë nuse për lirinë,
Një dyfek e një gjerdan,
Pajë e saj për nusërinë.
Trimëresha e Drenicës,
Drenushë që s’kishte shoqe,
Ditën gdhihej si kaçake,
Natën ngrysej si bashkëshorte.
Thonë se u bë shqiponjë
Luftrave mbi shkjaj të zinj,
Grua, burrë dhe komandante
Në Drenicë e Dukagjin.
O, prite Azem Galicën,
Shtigjeve nga vjen liria,
Brenda zemrës kish Azemin,
Kish amanetet e tija.
Brenda zemrës kishte ëndrra,
Kishte dufe, kishte zjarre,
Kishte plagët e Kosovës,
Kishte nënat kosovare.
Ende Shota rend në male,
Se është Shotë dhe s’mund të vdes,
Tundet një gërshet mbi supe,
Ngjishet një gjerdan në brez.
/QendraPress/