POLICËT, EMBLEMË HEROIZMI APO VIKTIMA SOCIALE-Shkruan;Gjeneral Hisen Berisha

0

Patetizmi patriotik, përmes të cilit këta qeveritarë po përpiqen të bëjnë heroin, është thjeshtë keqpërdorim i gatishmërisë për sakrificë të njësisë elite për operacione speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, drejtuesit e të cilëve në përqindjen më të madhe përbehen nga ish luftëtarë të UÇK. Por në përgjithësi këta trupa i karakterizon shkallë e lartë e moralit dhe patriotizmit shtetëror. Nëse i referohemi doktrinave bashkëkohore ushtarake për organizimin e operacioneve dhe sistemimit të forcave, “Ndërprerja e rrugëve të furnizimit, komunikimit dhe zvoglimi i qëndrueshmërisë operacionale të forcave kundërshtare”, të dhënat taktike nga tereni, tregojnë se jetët e tyre janë në rrezik, qoftë në gjendjen e gatishmërisë tre, apo në rast të çfarëdo eskalimi të situatës. Në këtë rrethanë, rrezik permanent janë disa veprime taktike siç është marshimi deri në pesë kilometra nga vendi zbarkimit deri te pikë kalimet doganore. Probabiliteti që një person “me të meta mendore” nga radhët e paramilitarëve e të degraduarve moralisht, me një armë automatike, ti vë në rrezik jetët e trupave të Policisë, në çdo kohë, është tejet i lartë. Jo vetëm atyre në marshim por edhe atyre me qëndrim statik nëpër barrikadues apo në mbrojtje të policëve kufitar dhe administratës në pika doganore. Janë të ekspozuar ndaj rrezikut për faktin se qëndrojnë nëpër rrugët e barrikaduara me pengesa teknike dhe humane. Operacionaliteti i njësive policore është i hendikepuar por edhe i komprometuar nga qëndrimi nën surveimin permanent të snajperëve serb nga pozitat dominonte në territorin kufitar. Kjo do të vë në përgjegjësi edhe drejtorin e përgjithshëm edhe komandantin e operacionit. Edhe pse barra më e madhe e përgjegjësisë politike bie mbi vendimmarrësit politik për mos koordinim me PUN(Prania Ushtarake Ndërkombëtare). Para se të sprovohet kjo kategori është dashur që së pari t’iu krijohen kushtet të shërbimit me theks logjistike, si në paqe ashtu edhe në operacione. Theksin duhet vënë në mbështetjen logjistike por edhe sigurimin e forcave në operacion që arrihet duke krijuar një ambient veprimi të sigurtë. Sa kjo është arritur në zonën e operimit, treguesit taktik lënë shumë pikëpyetje. Ex lege, kanë nevojë të lejohen të jenë polic kur përballen me shkeljen e rendit dhe ligjit si dhe rrezikimin e jetës personale, policëve tjerë apo objektivave të vendosur operativ. Po ashtu, rol të veçantë ka motivimi që është më shumë politik dhe buron nga kushtet e shërbimit. Gjatë kampanjës elektorale është premtuar se do të implementohet Ligji për pensionim të parakohshëm, sipas kushteve të njëjta që ofron Ligji për pensionim të parakohshëm të ish pjesëtarëve të UÇK nga radhët e FSK, i vitit 2013. Por, si duket smira dhe hakmarrja është tjetër virtyt i ulët i qeveritarëve kurtian, të cilët këtë kategori policësh, po i eliminon përmes procesit të lirimit nga detyra dhe pensionim me të ardhura qesharake prej 90e, pasi që pensionohen si shërbyes civil, që janë me status ligjor. As pagat përafërsisht 500e, në nivelet drejtuese që marrin për shërbimin vetëmohues për ligj e rend, nuk i bëjnë dinjitoz, po ti krahasojmë me pagesat prej 1500e, që marrin barrikaduesit serb, në veri të vendit, nga qeveria serbe. Por, megjithatë për vendosjen dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit pritet të bëjnë sakrifica heronjsh, ani se kushtet e shërbimit i rangojnë në viktima sociale, jo vetëm policët por edhe familjet e tyre që jetojnë 24/7, 365 ditë në vit, në ankthin e pritjes së lajmeve të kobshme./qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *