Selmanaj tërhiqet nga kandidatura për deputet, mbetet në krye të LDK-së në Prizren

Kryetari i LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin e tij politik në funksion të LDK-së dhe strukturave të saj në Prizren.

Përmes një reagimi publik, Selmanaj ka thënë se gjatë gjithë angazhimit të tij politik, LDK-në e ka konsideruar si më shumë se një subjekt politik.“Përgjatë gjithë angazhimit tim politik, kam besuar se LDK-ja nuk është thjesht një subjekt politik, por një ideal, një mision shtetformues, një identitet politik dhe moral që ka mbajtur gjallë shoqërinë tonë, frymën institucionale dhe orientimin perëndimor të Kosovës”, deklaroi ai, raporton PrizrenPress.Selmanaj ka shtuar se çdo përgjegjësi që i është besuar e ka trajtuar me përkushtim dhe ndershmëri. “Pikërisht për këtë arsye, çdo përgjegjësi që më është besuar e kam trajtuar me përkushtim, me kujdes e ndershmëri dhe respekt ndaj vendit tim dhe anëtarësisë sonë të jashtëzakonshme”.Selmanaj bëri të ditur se edhe në këto zgjedhje do të jetë i angazhuar si kryetar i Degës dhe shef i Shtabit Zgjedhor të LDK-së në Prizren. “Edhe në këto zgjedhje, si Kryetar i Degës dhe Shef i Shtabit Zgjedhor në Prizren, do të jem plotësisht i angazhuar për mobilizimin dhe fitoren e LDK-së, sepse besoj se Kosovës i duhet një LDK e fortë dhe me vizion të qartë shtetëror”Ai theksoi se, pavarësisht kërkesave nga anëtarësia dhe strukturat e partisë, kësaj radhe ka vendosur të mos kandidojë për deputet. “E me gjithë këtë, përkundër kërkesave të mëdha nga anëtarësia dhe strukturat tona, unë kësaj radhe kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë”.Duke folur për arsyet e këtij vendimi, Selmanaj tha se nuk bëhet fjalë për një vendim kundër LDK-së. “Ky nuk është vendim kundër LDK-së. Përkundrazi. Është një vendim për ta ruajtur dinjitetin politik dhe për të mos lejuar që kontributi politik të matet me standarde të momentit apo nevoja të përkohshme”.Ai u shpreh se LDK-ja mbetet më e madhe se çdo individ dhe përfaqëson historinë dhe të ardhmen politike të vendit. “LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. LDK-ja është një ideal, është bindje, është historia jonë përplotë lavdi dhe e ardhmja që garanton stabilitet dhe zhvillim të shtetit tonë!”Selmanaj tha se do të vazhdojë të jetë në shërbim të partisë dhe qytetarëve që besojnë në frymën rugoviane dhe përgjegjësinë shtetërore. “Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë — në shërbim të LDK-së dhe të qytetarëve që besojnë në frymën rugoviane, në përgjegjësinë shtetërore dhe në politikën me dinjitet”.Në fund, ai u shpreh i bindur se LDK-ja do t’u rikthehet plotësisht vlerave të saj burimore. “Jam i bindur se LDK do ta rigjejë forcën për t’u kthyer plotësisht te vlerat e saj burimore, aty ku parimet dhe merita janë themeli i çdo vendimi”. Selmanaj falënderoi anëtarësinë dhe mbështetësit për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke përmbyllur reagimin me mesazhin: “Zoti e bekoftë LDK-në, Zoti e bekoftë Kosovën tonë!