Zëvendësministri i Drejtësisë: Sipas raporteve ndërkombëtare, sistemi i drejtësisë në Kosovë i paaftë

                       Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se raportet e institucioneve të huaja thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i ngadaltë dhe i paaftë. Sipas tij, Qeveria aktuale po tenton ta dinamizojë punën e institucioneve të drejtësisë nëpërmjet vettingut, i cili ende nuk është jetësuar.“Raportet e organizatave të ndryshme, veçanërisht të institucioneve të huaja si Unioni Evropian, thonë se sistemi i drejtësisë i Kosovës është i ngadalshëm dhe i paaftë. Ne po tentojmë ta dinamizojmë punën e institucioneve të drejtësisë qoftë nëpërmjet vettingut apo ndryshimeve tjera. Komisioni Evropian çdoherë e kritikon sistemin e drejtësisë për të ngadaltë sepse këtu gjyqtarët dhe prokurorët kanë mandat të përhershëm deri në pensionim të tyre”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.

“Raporti i MD-së me KPK-në duket i tendosur”

Lidhur me raportin midis Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Qorrolli ka thënë se mund të duket i tendosur, por nuk ka të bëjë me persona të caktuar.Situatën brenda KPK-së Qorrolli e ka cilësuar të frikshme.“Raporti midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës mund të iu duket si i tendosur, por kjo nuk ka të bëjë me personat por me situatën e frikshme në KPK, e cila sipas Venecias është një korporatë dhe aty vendimmarrja është jashtëzakonisht e centralizuar”, është shprehur ai.Sa i përket padisë për gjenocid kundër Serbisë, Qorrolli ka thënë se ka pengesa strukturore në këtë aspekt.“Ka disa pengesa strukturore sepse duke mos qenë palë e Statutit të GJND-së, rrjedhimisht edhe anëtarë të OKB-së, ne për momentin nuk jemi palë e autorizuar për të ngritur rastin në GJND. Jetësimi i kësaj është një kërkesë që duhet të shkojë përtej Ministrisë së Drejtësisë, por sigurisht që barra e përgjegjësisë na bie neve. Në adresimin e padisë për gjenocid kundër Serbisë, do të kemi kujdes që t’i angazhojmë njerëzit më të mirë , por kemi disa probleme strukturore”, ka thënë ai.