Haziri: Po shkojmë drejt zgjedhjeve, por ato do të prodhojnë cikël të ri të krizave
Kosova është duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ky opsion ka më shumë gjasa të ndodhë sesa gjetja e një zgjidhjeje ndërmjet partive politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, thonë zyrtarë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje.
Partitë politike parlamentare, aktualisht janë të betonuara në pozicionet e tyre lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i thërrasë partitë tjera parlamentare në një tryezë për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit aktual qeverisës, ka propozuar liderin e saj Ramush Haradinajn për pozitën e presidentit dhe po vazhdon të këmbëngulë në propozimin e saj.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja e liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, është që të ftojë tryezën e partive politike për të nisur dialogun e brendshëm për zgjedhjen e presidentit.
“Është duke bërë përpjekje qe sa kohë, por po presim konfirmimin e partive. Në qoftë se nuk do të ketë marrëveshje, atëherë nuk ka tjetër opsion. Më shumë po shkojmë drejt zgjedhjeve. Duhet qenë të përgatitur patjetër dhe natyrisht që të gjithë janë të përgatitur (për zgjedhje). Por, ato nuk janë të mirëpritura për vendin as për stabilitetin politik. Nuk po shoh se mund të prodhohet zgjidhje e qëndrueshme pas zgjedhjeve. Do të hyjmë në një cikël të ri të krizave politike. Nëse mungon vullneti politik që të zgjidhen problemet sot në tavolinë, do të kemi prapë problemin e njëjtë. Përsëri kanë për t’u tërhequr palët në pozitat e njëjta politike”, theksoi Haziri.
Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, tashmë është e domosdoshme, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë, më 5 nëntor, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë, konfirmuan aktakuzën ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Po të njëjtën ditë, bazuar në kompetencat që ia jep kushtetuta, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, Osmani, mund të qëndrojë në këtë post për gjashtë muaj, deri kur duhet të zgjidhet një president i ri.