A guxoni ta merrni vaksinën anti-covid nëse keni alergji? Përgjigjet mjeku amerikan
Vaksina Pfizer/BioNTech nxit reagim të fuqishëm imunitar, ka deklaruar doktor Paul Offit, drejtor i Qendrës për Vaksina në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia.
Offit është njëri nga anëtarët e panelit të ekspertëve të Administratës amerikane të Ushqimit dhe Barnave, që ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine në Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Offit thotë se ka shumë gjasa që imuniteti i të vaksinuarve të zgjasë me vite.
I pyetur rreth asaj se a duhet ta marrin vaksinën njerëzit që kanë reaksione serioze alergjike, Offit ka shpjeguar se si duhet të veprohet në secilin rast që dyshohet për alergji.
“Nëse keni pasur reaksione serioze alergjike ndaj ndonjë produkti injektues që e keni marrë në muskul ose lëkurë, atëherë nuk duhet ta merrni këtë vaksinë”.
“Por, nëse keni reaksione serioze alergjike si te vezët apo kikirikët, atëherë mund ta merrni vaksinën dhe duhet të prisni rreth 30 minuta për t’u siguruar se nuk keni ndonjë reaksion alergjik. Nëse kurrë nuk keni qenë alergjikë në ndonjë vaksinë, ju prapë duhet të prisni rreth 15 minuta. Kjo është koha që gjithmonë rekomandojmë”.
“Rreth një në çdo milion njerëz që marrin vaksina, do të ketë një reaksion të rëndë alergjik. Andaj, gjithmonë rekomandojmë që njerëzit të presin rreth 15 minuta. I vetmi ndryshim është nëse keni pasur reaksion të rëndë alergjik në të kaluarën, por jo ndaj një produkti injektues – në atë rast prisni 30 minuta”, tha Offit.
Për më tepër ai ka shpjeguar se si reagon trupi menjëherë pas marrjes së vaksinës dhe efektet afatshkurtra anësore që mund të ketë.
“Vaksina shkakton një përgjigje të fuqishme imunitare. Pjesë të kësaj përgjigjeje imunitare përfshijnë simptoma si: ethe, të dridhura, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje të nyjeve. Njerëzit duhet të jenë në dijeni për këto, sepse mund të humbasin një ditë pune. Por, bëhet fjalë vetëm për reagimin imunitar ndaj vaksinës. Dhe, kjo është një gjë e mirë, sepse do të thotë se jeni duke zhvilluar imunitet të fuqishëm”, tha doktor Paul Offit.