Krasniqi: Mund të pritet rritje e rasteve me Coronavirus
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka deklaruar se në javët në vazhdim mund të pritet rritje e rasteve me Coronavirus.Ai tha se kjo rritje duhet të pritet për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, përfshirë rikthimin e nxënësve në shkolla, pastaj fushatat e partive politike dhe tubimet në masë.
“Ne po i përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jo vetëm në vend, por edhe në shtetet përreth dhe më gjerë. Jemi dëshmitarë që në shumicën e shteteve janë duke përjetuar një valë të re të rasteve me numër të madh të të infektuarve”, ka thënë Krasniqi për REL.
Krasniqi nuk ka dashur të komentojë lehtësimin e masave kundër COVID-19 nga Qeveria në detyrë e Kosovës, por ka thënë se aktualisht situata me pandeminë është më e mirë sesa muajt e kaluar dhe se numri prej rreth 500 pacientëve të hospitalizuar është nën kontroll.