Erdogan nuk uron Kurtin për fitore, Turqia hesht për zgjedhjet dhe fitoren e Vetëvendosjes

0

Ka dy ditë që Kosova ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Tanimë dihet edhe fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai është Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër. Shumë fjalë të mira u thanë nga ndërkombëtarët për organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve në Kosovë. Madje BE, qeveri e ambasadorë të vendeve mike, përfshirë ShBA-në, Gjermaninë, Austrinë etj., theksuan gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e re, që pritet të udhëhiqet nga  Kurti. Por gati krejt e heshtur për zgjedhjet dhe fituesin e tyre është Turqia, e cila së fundmi ka kritikuar Kosovën për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem, shkruan Reporteri.net. Ambasada turke në Prishtinë ka nxjerrë vetem një postim në lidhje me zgjedhjet, në ditën që u mbajtën ato. Në Facebook-un e ambasadës u theksua se kanë monitoruar zgjedhjet e së dielës, në Prishtinë, Prizren e Mamushë. “Urojmë që zgjedhjet e 14 shkurtit të jenë të dobishme për Kosovën”, shkroi Ambasada e Turqisë, duke i bashkangjitur fotografi të ekipit monitorues. As Presidenca e as Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë nuk kanë lëshuar asnjë komunikatë për këtë çështje. Ndryshe ishte në zgjedhjet e mëparshme. Në vitin 2009 e 2010, MPJ e Turqisë  kishte lëshuar komunikata për zgjedhjet lokale e nacionale, duke vlerësuar mbarëvajtjen e tyre. Madje, presidenti Recep Tayyip Erdogan, atëbotë kryeministër i Turqisë, kishte telefonuar Hashim Thaçin, që atëherë drejtonte PDK-në dhe ishte kryeministër në detyrë, për t’i uruar fitoren në zgjedhje. Kujtojmë që kohëve të fundit, Ankara ka ftohur marrëdhëniet me Prishtinën për shkak të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, gjë të cilën shteti turk e kundërshtoi ashpër .Ndonëse beson se ka një ftohje të lehtë në marrëdhëniet Kosovë-Turqi, Blerim Latifi, profesor universitar, thotë se mos urimi nuk lidhet më këtë ftohje.“Nuk mendoj se mungesa e urimit për zgjedhjet nga ana e Ankarasë lidhet më këtë ftohje. Me gjasë ka të bëj me çështje vendimesh procedural. Mund të presin zyrtarizimin e Kurtit si kryeministër që ta bëjnë kurtuazinë diplomatike të urimit”, tha Latifi për Reporteri.net.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *