VV e PDK udhëheqin seancën konstituive, kush është deputeti më i vjetër dhe më i ri i Legjislaturës së 8?
22 marsi është caktuar si data kur do të konstituohet Kuvendi me përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti. Seanca konstituive është ftuar për të hënën e 22 marsit nga u.d. Presidentit Vjosa Osmani.Por kush do ta udhëheqë seancën e parë kur do të konstituohet përbërja e re e legjislaturës së VII të Kuvendit?Rregullorja e Kuvendit të Kosovës ka sqaruar se kush e kryeson seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.Në nenin 9 pika 1 të kësaj Rregullore thuhet se punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdoj deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.Në rast se ata mungojnë ose refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët sipas moshës vijnë menjëherë pas tyre.
Rregullorja e ka paraparë edhe atë se çfarë duhet të bëj deputeti më i vjetër e më i ri gjatë udhëheqjes së seancës konstituive.Në të njëjtin nen, por në pikën 3, thuhet se pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kryesuesi i mbledhjes kërkon nga partitë e përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.
E këto funksione më 22 mars do t’i kryejnë dy deputetë nga parti të ndryshme.
Për dallim nga 2019, kur Vetëvendosje kishte edhe deputetin më të vjetër dhe më të ri në grupin e tyre parlamentar, kësaj radhe kjo parti e ka vetëm deputetin më të vjetër në Kuvend.
Avni Dehari, veprimtar i çështjes kombëtare, është deputeti më i vjetër në Kuvend që më 22 mars do ta udhëheqë seancën konstituive të Kuvendit.
I lindur më 1947, Dehari si 75 vjeçar do ta udhëheq seancën kur do të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Krahas tij, por nga parti tjetër nga ajo e Deharit, do të jetë deputetja më e re e Kuvendit, Adelina Grainca, shkruan Reporteri.net.
E lindur në gusht të 1997, deputetja 23 vjeçare e PDK-së do ta ndihmojë Deharin gjatë seancën konstituive. Grainca është vetëm pak muaj më e re se Fjolla Ujkani, e cila është po ashtu e lindur në maj të vitin 1997.
Kujtojmë që në vitin 2019, seancën konstituive e udhëhoqën Jahja Koka, si deputeti më i vjetër, dhe Fjolla Ujkani, si deputetja më e re e legjislaturës së 7.