Sa biznese u mbyllën në Kosovë si pasojë e COVID-19 gjatë një viti?
Më 11 mars janë bërë një vit prej kur në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e para kufizuese për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.Këto masa shkaktuan dëme në sfera të shumta, por më e goditura konsiderohet të jetë ekonomia.Kjo sipas Drejtorit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, që thotë se në vend diku rreth 20 mijë biznese nuk janë duke funksionuar më si pasojë e koronavirusit.“Numrin e bizneseve të mbyllura, të shuara dhe të pushuara gjatë pandemisë nuk do ta dimë saktë kurrë, sepse do të duhet të bëhet një hulumtim në terren dhe për këtë duhet kohë dhe financa. Por, sipas një vlerësimi të AKB-së, numri i bizneseve jo aktive për vitin 2020 kap shifrën rreth 20 mijë. Kaq operatorë ekonomik ia kanë vendosur çelësin aktiviteteve, jo për fajin e tyre, por për shkak të pandemisë COVID-19 dhe problemeve të tjera të vazhdueshme që kanë bizneset për shkak që ka humbur fuqia konkurruese si pasojë e konkurrencës jo të drejtë”, ka thënë Shahini për KlanKosova.“Shifrat e lartcekura nuk përputhen me shifrat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, por këto janë shifra reale nga terreni të mbledhura nga aktivistët dhe degët e AKB-së në gjashtë regjione. Deri në fund të këtij viti kjo mund të jetë më e madhe për shkak se kriza është duke vazhduar. Mbyllja zyrtare e një biznesi është e komplikuar dhe merr shumë kohë, por është edhe e kushtueshme, edhe nga lëvizjet e kufizuara që ishin pronarët e bizneseve kanë hequr dorë nga mbyllja zyrtare. Kjo situatë kurrë më keq nuk ka qenë”.Shahini ka theksuar se bizneset nuk kishin mbështetje të mjaftueshme nga qeveria.Ndërsa, Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, ka theksuar se numri i bizneseve të mbyllura gjatë kësaj periudhe është dyshifror.“Numri i bizneseve të mbyllura deri më tani është 74, kjo nënkupton që pas kërkesës së bërë për mbyllje janë ndjekur te gjitha procedurat ligjore për mbylljen e tyre. Mund të këtë numër të madh të kërkesave për mbyllje, mirëpo mund të jenë në proces të verifikimit sepse siç e dini asnjë biznes nuk mund të mbyllet pa i kryer të gjitha obligimet tatimore ndaj ATK-së”, është shprehur Bytyqi-Sefa.Pos përfundimit të obligimeve në ATK, një biznes për mbyllje duhet të aplikojë edhe në Administratën e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.Klankosova.tv ka kontaktuar me zyrtarë të këtij institucioni, të cilët kanë folur për shifrën e bizneseve që kanë aplikuar për mbyllje dhe për atë se cilat ishin arsyet më të shpeshta të mbylljes.“Nga data 15.03.2020 e deri më datën 15.03.2021 janë mbyllur 1,268 biznese. Shumica e bizneseve e deklarojnë mbylljen “për arsye personale”, thuhet në përgjigjen MTI-së.Për të ndihmuar ekonominë e vendit legjislatura e kaluar e Kuvendit të Kosovës kishte miratuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në dhjetor të vitit 2020.
Neni 11 i këtij Ligji thotë se janë ndarë 200 milionë euro si përkrahje për ndërmarrjet private.“Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur problem të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë arkiv në regjistër të Administratës Tatimore të Kosovës, para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej dyqind milionë euro”.Nga Ministria e Financave kanë treguar se totali i mjeteve të shpenzuara në pandemi nga pakot për vitin 2020 është mbi 285.5 milionë euro.“Totali i mjeteve të shpenzuara në pandemi për 2020 është mbi 285.5 milionë euro, me detaje sipas kategorive është paraqitur në tabelën e bashkangjitur që përfshin shpenzimet për menaxhim të pandemisë dhe pakot e Qeverisë (emergjente dhe rimëkëmbjes) për ndihmë qytetarëve dhe bizneseve”, thuhet në përgjigjen e tyre