Kurti homazhe në Prekaz: Drejtësia nuk është vënë në vend për familjen Jashari

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, të mërkurën kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, përcjell Insajderi.Nga aty, Kurti është shprehur se drejtësia ende nuk është vënë në vend për familjen Jashari e për shumë familje tjera.Tutje, i pari i ekzekutivit ka thënë se ka shkuar për të vizituar vendin e flijimit dhe të bashkimit, “ku është bërë edhe ngritja heroike e kombit shqiptar”.“Dje pranuam detyrën si Qeveri e re, e cila u vota në Kuvend të hënën në mbrëmje, pasi që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Sot, në ditën e parë të punës bashkë me zv. kryeministrat dhe ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz, në këtë vend të flijimit e të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, por rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov UÇK-së dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare e cila më 24 mars 1999, dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjenocidal, siç ishte Serbia e Millosheviqit. Ne i kujtojmë me shumë dhembje e me mall, Shaban, Hamëz e Adem Jashari dhe 59 anëtarët e kësaj familje,  gjysma e të cilëve ishin gra e fëmijë”, ka thënë Kurti.“Drejtësia për këtë krim të Serbisë, nuk është vënë në vend, ashtu sikur edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë anembanë Kosovës; gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet dhe ne rikthemi këtu në Prekaz për ta kuptuar se prej nga vijmë e për të ditur më mirë se kah duhet të shkojmë”./Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *