Oda e Afarizmit: Të mos ketë mbyllje totale të biznesit pa përkrahjen paraprake financiare
Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga institucionet e vendit që asnjë kufizim apo mbyllje totale e biznesit, të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare.Sipas OAK, kjo vie si rrjedhojë e gjendjes shumë të vështirë me të cilën po përballet sektori privat si pasojë e pandemisë dhe përkrahjes së mangët që është ofruar deri më tani. “Lidhur me këtë OAK konsideron që është më se e rëndësishme që të gjinden mënyra për përkrahjen financiare të kompanive të cilat do të ndikohen direkt nga këto masa. OAK është ithtare e faktit që çdo masë duke përfshirë mbajtjen e maskave, distancën sociale e higjiena personale të respektohen në përpikëri për mbrojtje të shëndetit publik, por që çdo vendim për mbyllje duhet të ketë mbështetje direkte për bizneset dhe punëtorët e tyre për humbjet që po u shkaktohen nga të njejtat duke i’u ndaluar të drejtën e punës”, thuhet në reagimin e OAK-ut. Në fund, OAK konsideron që sektori privat aktualisht është shumë i rënduar si rezultat i pandemisë, andaj nuk ka kapacitete që të përballoj i vetëm pasojat e mëtutjeshme shkaktuar nga pandemia, ku si rezultat i mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani.