Komuna e Prizrenit ua falë obligimet bizneseve
Drejtoresha e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, Leonora Çerreti sot ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar në lidhje me vendimin për faljen e një pjese të obligimeve të krijuara për taksa komunale për biznese, taksa për shfrytëzimin e pronës komunale dhe hapësirave publike.
Drejtoresha Çerreti njoftoi se Komuna e Prizrenit, gjatë vitit të kaluar në vazhdimësi është munduar që të jetë pranë qytetarëve dhe bizneseve të prekur nga pandemia, si me lirimin e taksës komunale të shfrytëzuesve të hapësirave publike, përfshirë tavolinat, karrigat, parkingjet, tregjet, kiosqet e barakat, ashtu edhe me subvencionimin e rreth 1000 bizneseve të prekur nga pandemia.Me këtë rast, ajo theksoi se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, ku njoftoi për vendimin që është marrë për llogaritë e arkëtueshme, ku hyjnë kategoritë e autoparkingjeve, barakave, tregjeve, tezgave, tavolinave, karrigeve, reklamave, e lokaleve që ngarkohen nga Komuna.“Në nëntor të vitit të kaluar ne si Ekzekutiv Komunal me mbështetje të Asamblesë Komunale kemi marrë vendim për lirimin e një pjese të konsiderueshme të obligimeve që janë mbledhur në Komunë. Sipas këtij vendimi do të bëhet falja e rreth 30% të obligimeve për veprimtaritë afariste dhe 60% e obligimeve për shfrytëzuesit e hapësirës publike”, shprehu drejtoresha Çerreti.
Më tej ajo bëri të ditur se në këtë vendim përfshihet:
• Falja e borxheve të krijuara për taksa komunale për të gjitha bizneset e regjistruara në Komunën e Prizrenit, për periudhën prej vitit 01.01.2001 deri 31.12.2013.
• Për të gjitha bizneset që janë të regjistruara në Komunën e Prizrenit, falet borxhi për periudhën prej 01.01.2014 deri 31.12.2019, për 70%, me kusht që obliguesit, pjesën e tjetër të borxhit prej 30%, ta shlyejnë në afatin kohor prej 01.01.2021 deri 30.06.2021.
• Për të gjitha bizneset të cilat e kanë ndërprerë veprimtarinë afariste dhe që janë pasive, falet borxhi i krijuar prej vitit 01.01.2014 deri më 31.12.2019.
• Për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale dhe hapësirave publike, falet borxhi për periudhën prej 01.01.2001 deri 31.12.2019, për 60%, me kusht që obliguesit pjesën tjetër të borxhit prej 40%, ta shlyejnë në afatin kohor prej 01.01.2021 deri 30.06.2021.Drejtoresha Çerreti njoftoi se në bashkëpunim me tri drejtoritë tjera, përkatësisht Drejtorinë për Shërbime Publike, Administratë, dhe Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, janë finalizuar të gjitha listat e përfituesve të këtij vendimi. Sipas kësaj analize nga kjo falje do të përfitojnë në total 6565 biznese, me një vlerë të falur në gjithsej prej 7,650,593 euro, ku vetëm vlera e falur për taksa për biznese do të jetë 7,073,427 euro, nga e cila do të përfitojnë 6098 biznese.Për të përfituar nga kjo falje, qytetarët duhet të lajmërohen tek Administrata Komunale tek sporteli për informacion ku do të njoftohen se tek cila drejtori duhet të drejtohen, ndërkaq afati i fundit për të përfituar nga kjo falje është 30 qershor 2021!Së fundmi, drejtoresha Çerreti bëri të ditur se për ata që nuk i paguajnë këto obligime do të ndërmerren masa të ndryshme, ku së pari do të ndërpriten shërbimet komunale dhe pastaj do të shkohet me procedura përmbarimore.