Vaksinat e Kinës e Rusisë, infektologu Tolaj thotë se kjo çështje nuk duhet të politizohet
Në një intervistë për Ekonomia Online, infektologu Ilir Tolaj, tha se vaksinat duhet të sigurohen sa më shpejt, po ashtu ai bën thirrje që të mobilizohen institucionet në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e marrjes së vaksinës kundër virusit Covid-19. Tolaj tha se vaksinimi është rruga e vetme për të shpëtuar nga pandemia.“Që të bëhet një vaksinim me një përqindje më të madhe vaksinat duhet të sigurohen sa më shpejtë që është e mundur dhe atë në mënyrë suksesive dhe dozat e nevojshme. Në anën tjetër duhet të jetë edhe një propagandë, e mobilizimit të popullatës që ta pranojnë vaksinën pasi shihet që ka edhe shumë persona që janë duke hezituar, ndërsa qasja në platformën sociale po mundëson që secili ta ushtrojë ndikimin edhe tek një masë më e gjerë. Prandaj pos sigurimit të vaksinës një detyrë shumë e rëndësishme do jetë edhe përgatitja e popullatës për ta pranuar vaksinën sepse secilit i duhet shpjeguar që rrugë tjetër për shpëtimin nga pandemia nuk ka, ose do të infektohemi të gjithë ose do duhet të vaksinohemi të gjithë”, tha Tolaj.Tutje, ai thotë se çështja e vaksinave është politizuar.“Është shumë interesant në momente të tilla të krizës politizohen shumë gjëra, edhe ato që nuk duhet politizohen, ne kemi një kalendar të vaksinimit dhe i vaksinojmë të gjithë fëmijët me lloj lloj vaksine dhe kur vije tash momenti për përdorimin e një vaksine të re menjëherë zgjohen dilemat të cilat janë të paparamenduara më parë. Në përgjithësi unë jam kundër këtyre teorive të konspiracionit dhe nuk besoj që dikush në mënyrë të qëllimshme mund të bëjë diçka për të shkaktuar një dëm masiv në popullatë”, theksoi Tolaj.“Jam ithtar i palëkundur i vaksinimit dhe në momentin që secilit i ofrohet një mundësi atëherë secili duhet ta bëjë. Vaksina mbron shumë nga hospitalizimi dhe vdekjet. Kjo nuk do thotë që edhe pas vaksinimit nuk do kemi raste të reja, por ato nuk do të jenë në fokusin e interesit të opinionit të gjerë dhe do mbesin vetëm tek sistemi shëndetësor”, u shpreh tutje ai.Marrjen e vaksinave nga Kina dhe Rusia, infektologu Tolaj, e quan shumë të arsyeshme dhe nuk mendon që është diçka politike, pasi siç thotë ai Kosova nuk ka mundësi zgjedhjeje.“Nuk jam për politizim të shëndetësisë e të pandemisë, dhe të procesit të vaksinimit. Nëse në Kosovë kemi produkte medicinale të një shteti i cili tash është prodhuesi i një apo më shumë vaksinave atëherë nuk e shoh ndonjë problem shumë të madh as politik e as ideologjik që një vaksinë e tillë të pranohet. Kuptohet se nëse autoritetet e Kosovës të kishin qenë më aktive dhe të siguronin një vaksinë tjetër atëherë do ishte ndryshe sepse ke mundësi zgjedhje, por në momentin e krizave të mëdha shëndetësore dhe në pamundësi për të siguruar doza vaksinash është e arsyeshme dhe në aspektin mjekësor i logjikshëm”, theksoi Tolaj.