Hyseni: Do të shohim hapa konkretë të angazhimit amerikan në dialog

0

Bashkërenduesi i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni tha të hënën në Uashington se Prishtina e sheh rolin e Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi si të pazëvendësueshëm.

Hyseni, tha për Zërin e Amerikës, pas takimeve në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë se e ka marrë angazhimin e Uashingtonit në këtë drejtim.

Ai tha se dialogu me Serbinë duhet të marrë një dinamikë të re dhe duhet të kulmojë me njohje reciproke.

Hyseni u takua në Uashington me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin në Departamentit e Shtetit, Matthew Palmer dhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Ka një përkushtim të paluhatur në përkrahje të dialogut të filluar në Bruksel dhe një përkrahje të fuqishme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Hyseni për Zërin e Amerikës.

Vëzhguesit thonë se ka një mungesë bashkërendimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, lidhur me dialogun Kososvë-Serbi. Por zoti Hyseni tha se nga takimet në Uashington, kjo përshtypje rezulton e gabuar dhe se i është thënë pa ekuivoke se Uashingtoni e përkrah dialogun plotësisht.

“Do të shohim hapa konkretë të kyçjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, krahas Bashkimit Evropian”.

Në fund të qershorit, pas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë për akuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi, dështuan planet për një takim Kosovë-Serbi në Uashington. I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell tha më pas se takimi do të bëhej në një datë të ardhme. Zoti Hyseni, tha se ishte në kontakt me Ambasadorin Grenell dhe do të zhvillonte një bisedë telefonike me të, pasi ai ndodhej jashtë Uashingtonit. Por nuk përmendi data të mundshme.

“Ne po punojmë ngushtë me SHBA që procesi i normalizimit të ecë shpejt deri në njohje të plotë reciproke, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha ai.

Megjithëse Serbia ka këmbëngulur se nuk do ta njohë Kosovën, zoti Hyseni thotë se ndonjëherë në politikë thuhen gjëra që jo domosdoshmërisht përputhen me realitetin dhe njohja reciproke është një rezultat i pashmangshëm.

“Përndryshe nuk do të kishte kuptim, përndryshe duhet shpallur e dështuar çdo përpjekje, sepse unë e kam bindje të thellë dhe këtë linjë e kemi adoptuar në Kosovë”.

Ai tha se nuk mund të ketë marrëveshje për çështje të veçanta, pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme dhe të garantuar ndërkombëtarisht.

I pyetur se çfarë është e gatshme të ofrojë Kosova, ai thotë se ka hapësirë për zgjidhje pa e dëmtuar substancën, por në rrethanat e njohjes reciproke.

“Kur krijohet ajo barazia nga një pozicion krejtësisht i barabartë, Kosova dhe Serbia mund të zgjidhin të gjitha problemet”.

Zoti Hyseni i hodhi poshtë zërat e kritikëve që kanë shprehur shqetësimin se bisedimet po rrezikojnë të rrëshqasin në nivel teknik.

“Mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asgjë teknike deri në përmbyllje të njohjes reciproke. Çdo gjë është skajshëm politike. Çdo gjë bart një dimension politik akut dhe ai dimension politik, akut duhet të adresohet dhe të zgjidhet ekskluzivisht në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes këtyre vendeve”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *