Krejt çka ndodhi në uzinën e armëve në Gramsh, çfarë vepruan rusët

Në Shqipëri, dy shtetas rusë, M.Z., 24 vjeç dhe S.T., 33 vjeçe, së bashku me një shtetas ukrainas, F.T., 25 vjeç, u arrestuan mbrëmjen e së shtunës nën dyshimet për spiunazh, pasi njëri prej tyre kishte hyrë në uzinën ushtarake në Gramsh, duke tentuar të bëjë fotografi. Sipas një njoftimi të ministrisë së Mbrojtjes “roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi”. Të dy ushtarakët më pas i kanë bërë thirrje të ndalojë, të riut M.Z.. Ndërsa ky i fundit është përpjekur të largohet, është ndaluar nga ushtarakët, pavarësisht se në këtë moment ai ka përdorur ndaj tyre një spray paralizues, duke ua hedhur në fytyrë.Ndërsa i riu rus është shoqëruar në komisariatin e Gramshit, policia ushtarake, ka vërejtur dhe dy persona të tjerë, që dyshoheshin se po shoqëronin të riun rus që kishte hyrë në Uzinë. Sipas njoftimit të ministrisë së Mbrojtjes, gruaja ruse 33 vjeçare dhe ukrainasi 25 vjeçar, janë ndaluar nga policia jo shumë larg Uzinës, ndërsa udhëtonin me një automjet sportiv me targa të Ukrainës.Të dy ushtarakët që bënë të mundur ndalimin e të riut që kishte hyrë në Uzinë, u trasportuan me shpejtësi në një spital të kryeqytetit, për shkak të problemeve me shikimin, të provokuara nga spray paralizues. “Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit”, bëri të ditur në një njoftim të sajin Ministria e Shëndetësisë.Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, kontaktoi personalisht me dy ushtarakët duke u shprehatyre “mirënjohjen që sakrifikuan për të mbrojtur një objekt strategjik”. Ndërsa shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë gjeneral brigade Arben Kingji, i vizitoi ata në spital.