Në Kosovë, më shtrenjtë prodhimet vendore se ato të huajat

                                  Prodhimet e bëra në Kosovë, që njihen edhe si “Made in Kosova”, shpesh kanë çmim të njëjtë me produktet e ngjashme të importuara, apo, në disa raste, janë edhe më të shtrenjta.Ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi javën e kaluar disa dyqane ushqimore në Prishtinë, ku hasi në sheqer më të shtrenjtë se sheqeri i importuar, në salcë më të shtrenjtë apo në peceta më të shtrenjta.“Nuk e di pse… por mendoj se produktet vendore do të duhej të ishin më të lira”, thotë Ndue Kalaj, një banor në Prishtinë.Vebi Mjeku, bashkëqytetar i tij, thotë se blen pak produkte vendore – vetëm nëse janë më të lira. “E shikoj edhe cilësinë, por më shumë çmimin”, thotë ai.Përfaqësues të bizneseve dhe të kompanive prodhuese në Kosovë thonë se çmimet ndikohe nga politikat fiskale, sipas tyre, aspak të favorshme.“Referuar shteteve përkatëse – Serbisë, Maqedonisë së Veriut e të tjera – ato kanë politika të avancuara fiskale dhe kompanitë e tyre kanë subvencionime të ndryshme nga shteti. Këto politika që ata i kanë, na penalizojnë, sepse ne nuk i kemi”, thotë Isa Rakovica, drejtor i shitjes në kompaninë “Liri” në Prizren, e cila merret me prodhimin e produkteve të ndryshme ushqimore.Ai thotë se punon me një marzhë më të vogël të fitimit, për të nxjerrë në treg çmime sa më të lira.Në Odën Ekonomike të Kosovës pohojnë ngjashëm. Kryetari Lulzim Rafuna thotë se, sipas informacioneve që ka, bizneset në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe disa vende të tjera prej nga importon Kosova, kanë politika më të mira fiskale dhe subvencionohen nga shteti. “Energjia elektrike për prodhuesin në Kosovë nuk është e subvencionuar, ndërsa në vende të tjera kanë lehtësira. Në disa vende, prodhuesit janë të liruar edhe nga tatimet për ambalazhe, ndërsa në Kosovë nuk janë”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.Shteti, sipas tij, duhet të intervenojë te politika fiskale, qoftë me zbritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar, të tatimit doganor e të tjera. Ai thotë se nga viti 2019 asnjë politikë fiskale nuk ka ndryshuar në favor të prodhuesve.Sipas Rafunës, Ligji për masat anti-damping duhet të vihet po ashtu në zbatim. Dampingu shkaktohet kur një vend eksporton në Kosovë produkte me çmime më të lira se vlera normale e tyre dhe, rrjedhimisht, dëmton industrinë e brendshme prodhuese.Në atë rast, mekanizmi anti-damping nënkupton vendosjen e një takse që duhet ta paguajë eksportuesi. Kosova ka miratuar Ligjin për masat anti-damping në vitin 2014. Për herë të fundit e ka zbatuar në vitin 2021 kundër disa produkteve të Serbisë.Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të diskutuar në lidhje me këtë temë.Në programin katërvjeçar të Qeverisë aktuale qëndron zotimi për orientimin e ekonomisë kah prodhimi dhe eksporti.“Qeveria do t’i mbështesë bizneset në blerjen e makinerisë prodhuese dhe përpunuese, duke synuar digjitalizimin e procesit të përpunimit dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese dhe prodhuese”, thuhet në planin e Qeverisë, por nuk është e qartë se deri ku ka arritur zbatimi.Kosova importon shumicën e produkteve nga shtetet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian, ndonëse, sipas të dhënave zyrtare, ka rreth 2.400 kompani prodhuese.Vendi, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar – duke importuar më shumë dhe eksportuar më pak – gjë që, siç thonë ekspertët, e pengon edhe rritjen ekonomike.Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rritja ekonomike gjatë vitit 2023 pritet të jetë 3-4 për qind. Gjatë vitit të kaluar, si konsumatorët, ashtu edhe prodhuesit i ka goditur edhe inflacioni i lartë. Kosova e ka mbyllur 2022-shin me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind. /rel/