Fryma poetike e së dielës me poetin;-Sabit RRUSTEMI
U mbulue në gaz e në tym e flakë
Gaza
dala e plastë
Një e qeshur e vetme s’u pa
në fytyrat e njerëzve
që ende ruajnë brenda vetes
një trohë zemër
Planeti Tokë u rrudh
prej egërsisë së pjellës që ushqen
u step
Xhindin që u ngrit peshë
nga Shpirti i Lig
kush ta urtojë
kush ta ndalojë
s’ka
Gjithçka e mirë
e ëmbël dhe e dashur
shkoi për lesh e për pluhur
e nuk mbet as hiri
Tej kësaj bote
në tjetër planet ra
nga turpi
Buzët u dogjën prej lotësh
u përgjakën puthjet
rruzullit tretën
e fjalët
prej gjuhëve të prishura
u zhbënë
as në të lehura s’gjasojnë
Zotërit e kësaj kohe
gota prej qelqi
për të satën herë u thyen
ngelën pa valë
e u çmendën mendsh
As trupi i një nëne
që u bë varr i një fëmije të palindur
as edhe ajo foshnja e nemitur
nën rrënoja
që s’di më as të qajë
(e lëre të na qeshë)
s’na zgjoi
Gaza
edhe të Shenjtit
mbi të cilët u përbetuam gënjyeshëm
në rrotë të samës i çoi
Në emër të së djeshmës që s’e jetuam
në emër të së sotshmes që s’e duam
këdo që e ka ruajtur dhe një grimë njerëzore
brenda vetes
e lus
të lëmë diçka për nesër
diçka
… sa për të na pështyrë
së paku
(25 korrik 2014 – 16 nëntor 2023)
/www.qendrapress.com/