Fryma poetike e së dielës me poetin:Ragip GJOSHI
MBI HARTËN E GRISUR
1.
Nën qiellin e prerë të Atdheut
Mbi Atlasin e Hartën e grisur
Gazepçe, me eshkë e me uror
Bëmë shkëndijë e xixa zjarri
Me duart e plasaritura si toka
Ndër mote të lara n’djersë e gjak
Shkëmb e gurë mori zjarr e flakë
Fytyrë e Atdheut n’lavdi u la n’shekuj!
Hartën na kanë grisur ,prerë e shqyer
Na kanë degdisur në të huaja dyer
Deri në një ag të kësaj mbarim vere
Muza më troket në derë frymëzimi
T’i numërojë atdheut dhimbje e plagë
Këtë ditë me diell diçka në mua lindi
Një emër që dikur s’e kishim,i thonë liri.
Na kanë bërë Hartën copë-copë
Në copëza Shipërize na kanë grisur
Dymijë vjet shtangën,motet e ngrira
Shi i ngrohtë biente si dikur n’antikë
Atë pranverë kur nata ishte duke ikë
Akulli robërisë u shkri e u bë lavdi
Poeti puthi ëmbël buzët e fjalës liri
Amanet la,kur t”vdes ta bëjn gur kufiri…
2.
Hartë e grisur, e ndarë n’copa për gazep
Mbi tokën e Dardanisë, t’moçmin djep
Ku nuk ka fushë e arë që bukë s’të jepë
Nuk ka fushë e arë që me gjak s’është larë
Nuk ka grykë malesh pa gjurmë trimërie
S’ka shteg as prag shtëpie pa shenjë lavdie!
Harta ime është gjaku që nuk falet
Çdo cep i Kosovës në të gjitha stinët
Furtunë e rrëbeshe ,qëndresë në histori
Brenda vetëtinë e bubullon tveç poezi
Dikush na tentoi t’shëmtoi t’çmuarën liri
Dikush që kërkon çelës për t’hyrë n’histori
Por,dot nuk i bie tamam asnjë me emër
Akili e mban çelësin ,e ka në thembër
Orfeu po zhvishë gënjeshtrat në peshore
Ai e di se liria është bukë me shtatë kore
Shpifësit u ngrysën me zhurmë e në dalldi
Por dhëmbë e dhëmballë rrenëve iu thye!
Atdheun kërcnojë e Hartën ia gërvishin
Furtunat i thërrasin malet t’i përmbysin
Po shembin lavdinë me dëshmi të gatuara
Do miop nëpër shtigje e udhë të gabuara
Se n’ histori do të ngelin pordhë e ftohtë
Kurrë, xhelati e viktima s’barazohen dot
E shpifësit nuk do t’i lajë gurrat e vërrinit
Në asnjë mënyrë s’ i lanë as uji i Drinit …!
Drenicë më 19 shtator 2024
/www.QendraPress.com/