LOKE BUJARE ME ZEMËR HUMANE-Shkruan;Çerkin BYTYÇI

Në kujtim të hoçjanes fisnike Dadës Sadë (Sadbere Shala-Berisha)

Çerkin BYTYÇI, 03.03.2026

Vendlindjes time, Hoçë e Qytetit, kurdoherë krenarinë ia shtuan nenëloket bujare, të vyera, të palodhura dhe qëndrestare në vitet aspak të lehta të jetës, që mbajtën mbi supe barrën e shtëpisë të ngarkuara me punë shtëpiake, blegtorale e bujqësore. Ato ishin shtylla të familjes dhe shembull i sakrificës, ndërsa solidariteti e mikpritja përbënin kodin e tyre të nderit që ishte në piedestalin më të lartë.

Një ndër figurat më përfaqësuese të kësaj plejade ishte Dadë Sadë – Sadbere Shala-Berisha, një Loke e shquar, e urtë, bujare, kreshnike qe kujtohet me pietet, e, e cila u nda nga jeta në mars të vitit 2018, në moshën 87-vjeçare, duke lënë pas kujtimin e një gruaje fisnike dhe thellësisht humane.

Në mesin e hoçjanëve, nuk është më Da Sadë, siç e thirrnim të gjithë në fshat, nënëlokja që ishte sinonim i të mirës e të mbarës, i fjalës dhe punës, mendjes dhe veprës, i zemrës së hapur, i krenarisë dhe guximit, solidaritetit dhe mbëltimit të shpresës. Da Sadë ishte hijeshia e gazmendeve, por edhe hijeshia e rasteve piklluese! Po, po, Da Sadë ishte e tillë. Dasmave ua shtonte shyhretin, jo me valle e këngë, por me muhabetin e saj të ëmbël që ua kishte ënda ta dëgjonin të gjithë, të rinj e pleq të lagjes dhe të fshatit, sepse, kjo loke e urtë, s`ngutej asnjëherë, s`lëndonte kurrë njeri, madje edhe fjalët e saj i ngjanin ëmbëlsirës së shijshme, fjalë që kishin peshë, por edhe butësi.

E në mort, Da Sadë, ndonëse pikëllohej me zemër e shpirt, kudo e te të gjithë, me gurrën e begatë të fjalëformimit, me urtësinë e saj të rrallë, shprehte ndjenjat e thellësisë për të ngushlluar, për të qetësuar e flladitur jo pak, zemrat e shkrumbuara nga dhembja e mërzia.

Kjo nënëloke madhështore, u gëzohej takimeve me secilin, e në veçanti me kurbetçarët, që, si thoshte, jetojnë me mallin për gurët e therrat e vendlindjes. E dinte Da Sadë se ç`rëndësi ka kurbeti ndaj edhe e vlerësonte si burim i të mirave por, me urtësi këshillonte të mos harrohet vendi i të parëve. I gëzohej përparimit të secilit duke shprehur respektin për çdo pikë të djersës së derdhur me ndershmëri.

-Po bëjmë muhabet por sot mos shkruj në letër, më tha Da Sadë, në një ditë të njërës nga vizitat e shumta që ia bëja në shtëpinë e rrethuar me hardhi rrushi e pemë të ndryshme. E dinte ajo se, secila fjalë e saj, mua më ishte me vlerë dhe regjistroja me kujdes rrëfimet nga mendje e mprehtë e Lokes fisnike. Ndaj edhe e vizitoja gjithnjë, për t’u çmallur dhe rikthyer kujtesën në ditet e fëmijërisë, atëherë kur shtëpia e Axhës Durë, përherë ishte derëhapur për këdo dhe e mbushur me mysafirë.

E në shtëpine e Dadës Sadë, mes aromës së çajit të malit, patateve të pjekura, kungullit të zier e misrit mbi shporet, krijohej një atmosferë që të ngrohte shpirtin. Diku e kishte fshehur edhe ndonjë pjepër a shaqlqin dimri, që i priste për të pranishmit në ato ditë të ftohta, me borë e acar. Por, lente edhe të tjerë diku në tavan, që mund t’i shkonte mendja ndonjë të sëmuri për një copë verë në mes të borës, mbase në ato kohë dimri ku te gjenden vallë?! Lagjja e dinte: te Da Sadë gjendej gjithmonë një zgjidhje, një copë bukë, një fjalë e mirë.

E kur nganjëherë ofronte rrushin e ruajtur me kujdes, befasonte edhe vreshtarët më në zë.

Sa me ndjesi fliste me të sëmurët, me familjarët e tyre. Sa shumë kohë gjente për të vizituar të afërmit, farefisin. Sa me kënaqësi e ofronte vekshin me groshën e zier për familjet që u vinin mysafirët befas, sidomos për familjet mbi të cilat rëndonte varfëria. Humanizmi ishte pjesë e përditshmërisë së saj.

Në këtë frymë bamirësie e përkushtimi shquhej edhe bashkëshorti i saj, Durmishi – Axha Dur – murator me zemër të madhe, që ndihmoi shumë bashkëfshatarë në ndërtimin e shtëpive dhe la si vepër të mirë çezmën e njohur si “Çeshmja e Durës”, te vendi i quajtur Verrishta, pas objektit të tashëm të Qendrës së kulturës.

Në odën e Dadës Sadë merrnin rrugë festat e lagjes, në oborrin e shtëpisë, niste kënga e vashave. Aty gatuheshin gurrabiat e festës së Verzës, aty mësohej për traditat. Aty rrëfeheshin hallet e kurbetit, dëgjohej rrapëllima e vekut dhe ruhej fryma e bashkësisë. Në oborrin e gjerë përgatiteshin edhe jufkat e tërhëna për lagjen, por edhe punohej çezi i nusërisë shoqëruar nga kengët që të rritnin jetën.

Dhe, Da Sadë, e prirë me ndjenjën e tolerancës, me kohë e kishte flakur mllefin, zilinë e inatin. Në të kundërtën, kultivoi përherë dashurinë njerëzore, mirëkuptimin, tolerancën dhe vlerat që e skalitën për ta bërë të pavdekshme. Sa i urrente zënkat, përgojimet, fjalët e liga, dhe këto i kundershtonte me këmbngulesi për ta ruajtur harmonine fqinjsore, farefisnore e miqësore. Ndaj, oda e saj, ishte gjithmonë e ngrohtë, kurdoherë mundësonte atmosferë te kendshme, muhabet të sinqert dhe ishte e hapur për të gjithë. Odë kjo ku ndejat kishin hijeshinë e pakufijshme. Dhalli freskonte ne ditët e ngrohta dhe lengu i rasoit, si limonadë e shijshme, shërbehej në ditët e ftohta të dimrave të acart.

Da Sadë do të kujtohet me pietet nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin e ta dëgjojnë fjalën e urtë të saj, ta shijojnë mikpritjen dhe bujarinë e saj. Figura e Dadës Sade mbetet dëshmi se madhështia e një njeriu matet me zemrën dhe veprat që lë pas.

Me mirënjohje të thellë, mbetet vetëm të thuhet:

Pusho në kopshtin e njerëzve meritorë, Da Sadë e dashur!

———

Në fotografi me Dadën Sadë, nga vizita dhe bashkëbisedimi i fundit më 25 shkurt 2018.

/QendraPress/