Çaste poetike me poeten:-Elmije AJAZI

KUR NGJYRAT MUNGOJNË!
Po të mos më mungonin ngjyrat e jetës, do ta pikturoja shpirtin tim—
———————————–
me të bardhën e paqes që s’po e gjej më,
me të zezën që u hargjua nga pritjet e gjata,
me blunë e qiejve që dikur më premtonin liri,
por tani duken kaq larg.
Do ta pikturoja zemrën time,
ashtu siç rreh—e qetë, e trazuar, e lodhur, e zjarrtë.
Do ta vizatoja mallin që flet më shumë se fjalët,
heshtjen që mban brenda mijëra britma,
dhimbjen që di të fshehë veten nën një buzëqeshje.
Por ngjyrat më mungojnë…
Ndoshta sepse jeta m’i mori një nga një.
Ose ndoshta… ndoshta unë ia dhashë vetë,
njerëzve që nuk i ruajtën.
A ka mbetur një ngjyrë për mua?
Një e verdhë shprese? Një rozë ëndrrash?
Apo ndoshta… ndoshta ende mund ta gjej,
në një cep shpirti që nuk është shuar.
Nëse edhe ty të mungojnë ngjyrat,
mos harro:
nganjëherë, edhe hiri i shpirtit mund të bëhet bojë.
/QendraPress/