ÇLIRIMI QË PASKA PRITUR LEJE NGA SERBIA-Shkruan:-Bedri HALIMI

(Rreth deklarimeve të Rron Gjinovcit për ushtarët e UÇK-së)

Në një zyrë me dritare të mbyllura mirë,

ku e vërteta hyn veç me leje redaksie,

rri gazetari ynë, trim me tastierë,

që luftën e mat me centimetra ironie.

Ai s’ka parë tym, veç filtrin e kafes,

s’ka dëgjuar krisma, veç klikun e mausit,

por flet për beteja me siguri profesori,

si të ishte gjeneral i një ushtrie… lapsi.

“Mos u mashtroni!” thërret me bindje të hekurt,

“ata s’luftuan për tokë, as për flamur!

E kishin hallin e karriges, të shkretët

pushtetin donin, jo lirinë, përfundimisht, i sigurt!”

Sipas tij, historia është një konkurs pune,

ku aplikon me armë dhe fiton me votë,

dhe kush s’u punësua nga Serbia atëherë,

u bë rebel… për CV-në, për një vend në botë.

Ai e di, se ka burime shumë të “thella”,

që dalin nga xhepi, hyjnë në editorial,

dhe çdo fakt që s’i përshtatet skemës,

quhet “emocion”, “mit”, ose “nacional”.

Në hartën e tij nuk ka fshatra të djegura,

veç shigjeta që çojnë drejt një kolltuku,

ku luftëtari, me helmetë e me plagë,

paska synim… një zyrë me rrogë e me lukse.

Ai bën ekuacione të thjeshta e të shpejta:

Pushkë = ambicie,

Sakrificë = strategji,

Dhe liri? një fjalë për dekor në fjali.

“Po pse nuk pritën?” pyet me seriozitet,

“të bëhej ndonjë tender, ndonjë garë e hapur?”

Se sipas tij, historia menaxhohet më mirë

kur dorëzon CV-në… e jo kur del i zbathur.

E ndërkohë, ai rregullon kollaren e mendimit,

dhe pastron tekstin nga çdo gjurmë dhembjeje,

se dhembja prish narrativën elegante

dhe nuk përkthehet mirë në analiza “objektive”.

Ah, sa e lehtë është lufta nga karrigia!

Sa i pastër duket plumbi në ekran!

Kur nuk të lag shiu i asaj kohe,

dhe gjaku të duket… thjesht metaforë në plan.

Po pyete pak gurin e një dere të vjetër,

apo nënën që numëron mungesat çdo natë,

nëse lufta ishte rrugë për në pushtet

apo rrugë pa kthim, ku humb edhe veten për fat.

Por jo, gazetari ka orar e me afat,

dhe e vërteta duhet të vijë në format,

me titull të fortë e me thumb në fund,

që të shitet mirë në tregun e debatit të thatë.

Dhe kështu ai shkruan, e shkruan pa pushim,

një ‘roman’ ku heronjtë janë thjesht kandidatë,

që paskan ngritur pushkën për një post ministri

dhe jo për të thyer një zinxhir të gjatë.

Por historia, e lodhur nga këto tregime,

qesh lehtë nën zë, pa bërë zhurmë,

se e di që e vërteta nuk rri në kolltuk,

dhe nuk vishet me kostum… për t’u dukur më “e mirë” në shkrim.

Dhe një ditë, kur pluhuri të ulet mbi fjalët,

kur artikujt të bëhen letër e zverdhur në raft,

do të mbetet një kontrast i thjeshtë, i fortë:

kush e pa luftën… dhe kush e shpiku nga larg.

/QendraPress/