Çaste poetike me poeten ;-Linda FANA

Nëse nuk ka qenë i lirë

——————————-

Nëse nuk ka qenë i lirë,

s’duhej të bëhej provë,

sepse as nuk merr,

as nuk jep atë që duhet.

Nuk mbillet dashuria

në tokë të lidhur me frikë,

as nuk çel një lule e bukur

ku zemra mbahet rob pa dritë.

Fjalët humbin peshën e tyre

kur nuk mbështeten në vullnet,

dhe premtimet bëhen hije

që i merr era pa u ndier.

Nuk mjafton të jesh pranë,

nëse shpirti rri larg,

nuk mjafton të thuash “dua”,

kur zemra ngurron në çdo hap.

Liria është themeli

mbi të cilin ngrihet çdo ndjenjë,

pa të, dashuria tretet

si vesë e mëngjesit në rreze.

Prandaj, nëse nuk ka qenë i lirë,

s’duhej të bëhej provë fare,

sepse askush s’mund të japë

atë që vetë nuk e ka në duar.

/QendraPress/