Çaste poetike me poeten:-Teuta BIÇAKU

Ekuilibër i rremë

——————————-

Në kopshtin pa emër

majat e lisave u prenë me sakicë

që era të mos dallonte filizat e ndritshëm,

që era të mos dallonte më lartësitë.

Rrënjët nuk u panë

ato flisnin nën dhe,

me një gjuhë që s’e mëson turma

me një gjuhë që shpirtit fle.

Dikush mbolli bar të njëtrajtshëm

të bindur, të butë.

që rritet pa zë

dhe përkulet pa pyetje

edhe në skutë.

Shiu ra njësoj mbi të gjithë,

por disa e pinë me etje thellë,

e disa vetëm sa u lagën,

për pakëz dukje, për aparencë.

Në muzg, asgjë nuk tejkaloi asgjë

u shpall një barazi e qetë…

Dhe hijet u bënë të barabarta,

sepse drita u ul me qëllim përmbi retë.

Por thellë, shumë thellë,

një trung i prerë

mbante mend qiellin

si etje për dritë

si etje për diellin.

Dhe historia,

si gjithmonë,

nuk u shkrua mbi barin që tundej lehtë,

por në unazat e padukshme

të atij që u rrit,

edhe kur u la në hije,

edhe kur u pre

/QendraPress/