Çaste poetike me poeten;- Valbona R. HADRI

Përtej fjalës
————————–
Aty ku fjala mungon,
e heshtja bluan vetveten,
çdo rrugëdalje tretet
në mjegullën e një dhimbjeje pa emër.
Të dhemb gjithçka,
e nuk di çfarë të dhemb.
Nuk flet…
jo pse nuk mundesh,
por sepse askund
nuk gjen një dëgjues.
Të vjen të qash,
ta zbrazësh gjithë dhimbjen në një klithmë,
por nuk mundesh.
Ke frikë
se mos shndërrohesh
në një grumbull lotësh.
Kur shikon,
e nuk di çfarë kërkon,
jo pse sytë nuk shohin
por sepse shikimi yt
përshkon horizonte
që s’i kap dot fjala.
Kur buzëqesh,
e nuk di për çfarë,
jo pse nuk e do atë ndjenjë,
por sepse ka kohë
që e ke harruar.
Kur do të ngrihesh në këmbë,
por fuqia të ka shteruar,
jo nga pesha e moshës,
por nga pesha e vuajtjeve
që i ke mbajtur në heshtje.
Atëherë…
vetëm atëherë…
e kupton
se ka dhimbje
që nuk bërtasin.
Ka lot
që nuk kërkojnë arsye.
Dhe ka buzëqeshje
që vdesin ngadalë
nga mungesa.
Sepse heshtjet,
më shumë se fjalët,
dinë të rrëfejnë.
Valbona R. Hadri
/QendraPress/