Çaste poetike me poeten;- Albina CEKA

LULET E VENDIT TIM
————————————
E shkel këtë rrugë dhe dy – tri herë në ditë,
në vjeshtë, dimër, pranverë dhe verë.
Rrotull i bie nga Leon Dorë,
Hotel i qytetit ku unë jetoj.
Ka lule plot në këtë qytet,
por aromë vendlindje nuk kam gjetë.
Ja shkel këto rrugë dhe tre – katër herë,
këtij qyteti ku fati ma zgjodhi…
Thatë apo lagur hedh hapin përditë,
ndërsa mendja, si flutur në verë,
kërkon lulet që këtu s’i gjen.
Dielli më pushon mbi shtatë,
derisa të mbarojë i tij sahat…
Këmbët e lodhura i tërheq rrëshqanë,
me puthjen e hënës kërkoj të flej rehat,
ndërsa duart mpihen nga lodhja e gjatë.
Në ëndrra fluturoj ku më ka lindur shtati.
E kur nata zbret mbi këtë qytet,
heshtin rrugët, heshtin edhe lulet,
por zemra ime s’di të heshtë,
se atje larg më pret një aromë,
një oborr, një prag, një fjalë,
që asnjë qytet tjetër s’ma fal.
Ndoshta një ditë do të kthehem prapë,
të shkel mbi tokën ku lashë një hap,
të mbledh një tufë lulesh në duar
dhe t’i mbaj në kraharor si kujtim,
se lulet mund të çelin kudo,
por aromën e vendlindjes
e njeh vetëm shpirti im.
Sa herë që era lulet përkund,
unë kërkoj vendin tim në këtë botë…
Larg vendlindjes mund të jetoj,
por lulet e saj kurrë s’mund të harroj.
Ka lule plot në
këtë qytet,
por aromë vendlindje nuk kam gjetë.
DRITË, SHEJTËRIM
Është një dritë që s’e kuptoj,
rrezaton në çaste trishtimi;
ta shpjegoj as nuk provoj,
se ai çast është veç i imi.
Mos e prek ti me zili,
as me tënden marrëzi,
se ajo kthehet në shkëndijë,
të djeg gjuhën dhe të dy sytë.
Ka një rreze që e shijoj,
ta shpjegoj as nuk provoj…
Ka një dritë në sytë e mi,
që s’e kuptojnë njerëzit si ti.
Ka një dritë në shpirtin tim…
Thjeshtë e quaj shejtërim
/QendraPress/