Çaste poetike me poeten;- Arbana ARBA

Aspak nga hiçi

—————————

Kridhen mendimet,

treten me erën e fundit të harrimit.

Kridhen vitet,

prej tyre, copëza kujtimesh

në humnerën e memories,

që herë pas here

ulërijnë, jehonë firuese.

Ikën, u tretën,

u bënë njësh me vijën e horizontit,

e unë s’e kapërcej dot shikimin

për të parë ç’farë qëndron mbrapa tij.

I kënaqem këtij dielli të bukur,

që lindi sot

e ma zbukuroi ditën,

si një njeri që nuk kujton dot të shkuarën,

për shkak të një goditjeje fatale në tru.

E në fund të fundit,

kupton se ajo që sheh sot

nuk mund të ngjasojë aspak

me fytyrën e së djeshmes,

përderisa çdo gjë i vjen

e largët, e huaj, e panjohur.

Vjeshta sapo ka stisur ditët e saj,

akoma të nxehta.

Fëshfërima e gjetheve

më fut në mendime.

Si do të bien gjethet këtë vjeshtë?

A do të luajnë të njëjtin ritual lumturie,

sikur vjet?

Të paktën,

të përfytyroj diçka të bukur nga e shkuara.

Do të më duhet t’i kap përdore

për të besuar

se unë nuk kam lindur

aspak nga hiçi.

/QendraPress/