Çaste poetike me poeten; Laureta PETOSHATI

Realitete

————————

Unë jetoj në tre realitete,

secili prej tyre një botë më vete:

I.

Realiteti që ëndrra më krijon

si rrathët në ujë më vazhdon.

Në një ëndërr që së fundmi pashë,

shfaqesha edhe si grua dhe si vashë.

Në dy njerëz isha e pranishme,

si vajzë e re dhe në moshën e tanishme,

vajza e re e vdekur në arkivol,

unë, e tanishmja e ulur në një stol.

A shfaqet një njeri në dy njerëz vallë,

njëri i vdekur dhe tjetri i gjallë?

Afrohet nëna që të vdekur e dija,

po na shikonte të dyja,

për mua, vdekur e re, s’derdhi lot,

për mua, të gjallën, sytë i kishte plot.

II.

Realitetin tjetër me mendje e krijoj,

kur mbrëmjeve shëtis dhe detin shikoj,

kur dritat rrëshkasin e zhyten në det,

unë zhytem në botën që e krijoj vetë.

Kur këmbëzbathur rri mbi barin e njomë,

qielli më thotë: “- Dëgjomë!

Rëndo sa të mundesh mbi këtë bar,

se ai të mbulon me mijëravjeçarë!”

Mbyll sytë e mendoj njerëzit që dua,

për të cilët zemra plas si dyfek

dhe loti zhurmon si ortek,

por ata njerëz tani janë me mua!

Dashuria është prani në mungesë,

dashuria është loti që jep hua

dhe të kthehet mbrapsht si një shpresë.

Këtë realitet e quaj të dashurisë,

si shkak i paqes, por dhe si shtysë!

III.

Realiteti tjetër është ai që shohim,

ku veten dhe vendlindjen më s’e njohim,

ka plasur një sëmundje e rrufeshme:

të shembim historinë dhe gjithçka të djeshme!

Paraja –fitimi-

-pikë referimi!

Eh, çfarë tërbimi!

Por ka një realitet tjetër kur vjen vera

nga çdo anë e botës vjen rinia lumë,

shpërndan tek ecën freski e parfumë,

si qindra pranvera!

Shkëmbejnë shkurt mesazhe nëpër celularë,

shpenguar thyejnë mure e kode,

ku gegnishtja, shqipja e moçme

u vjen më për mbarë.

Ca thonë se s’do të bëhet Shqipëria,

ca thonë se po rrit bohemë –shëtitës,

por shihni si kthehet te rrënjët rinia,

komunikon me ekranet përshkënditës,

shqiptarët e rinj bartës të dritës!

Kur dritën njeriu e mbart me vete

ndryshon realitete.

Paçka nga koha dhe largësia,

është dashuri Shqipëria!

/www.QendraPress.com/