Çaste poetike me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

Përtej stresit

—————————

Sonte stresi më troket në derë,

si furtunë që s’gjen dot pranverë,

më flet për halle, për net pa hënë,

sikur të zgjasin një jetë të tërë.

Më thotë: “Shiko sa larg je sot,

sa ëndrra mbeten ende kot!”

Por koha qesh me zërin e saj,

dhe më pëshpërit: “Kot mos qaj!”

Pas disa vitesh do të shikosh,

sa pak nga këto do të kujtosh,

ato që sot të duken sa një mal,

do treten lehtë si mjegull e valë.

Një fjalë, një peng, një zhgënjim,

do humbasin rrugës pa kthim,

dhe zemra jote ngadalë do kuptojë,

se jeta ecën përtej çdo halli, njësoj.

Dhe kur në vite pas të kthehesh,

me stresin që kishe do qeshësh,

se shumë plagë që duken stuhi,

koha i kthen në një pikë kujtimi.

Ndaj mos u bëj rob i mendimit,

as peng i frikës e i shqetësimit,

se shpesh ajo që na mundon sot,

nesër s’ka peshë, as vend në botë

/QendraPress/