Çaste poetike me poeten;-Nexha REÇICA

KUR VJESHTA FSHIN GJURMÈT
——————————————-
Vjeshta zbret me mantelin e heshtjes,
mbi degë të zhveshura, mbi ëndrra të vjetra,
dhe koha, si një lumë pa kthim,
merr me vete çfarë mbeti nga e djeshmja.
Valët e detit, me gishtat e shkumës,
fshijnë në rërë rrëfimet e hapave,
ashtu edhe kujtesa, ngadalë e pa zhurmë,
mbulon me harresë gjurmët e së shkuarës.
Gjethet bien, si letra të padërguara,
që era i shpërndan në udhë të panjohura;
disa stinë mbyllin portat e tyre,
duke lënë pas vetëm jehonën e ditëve.
Por nën tokën e heshtur, një jetë tjetër zgjohet,
aty ku fundi vesh petkun e fillimit;
se çdo cikël që mbyllet në heshtje,
i hap një horizont të ri udhëtimit.
/QendraPress/