Çaste poetike me poeten;-Teutë Bajraktari CAKAJ

MOSHA E GJËRAVE TË PATHËNA
——————————————-
Nuk e di në cilin vit
pushova së trokituri
në dyert që dikur
i njihja përmendësh.
Nuk pati ndarje,
as fjalë të fundit.
Vetëm një ditë
nuk u ktheva më
aty ku dikur
e lija një pjesë të vetes.
Vitet kaluan.
Unë mësova të vazhdoj.
T’i palos ditët
edhe kur më rëndonin,
të flisja për motin
kur brenda meje
ndryshonte një stinë e tërë.
Mësova të mos e zgjas
përgjigjen kur më pyesnin si jam.
Jo se s’kisha ç’të thosha,
por jo çdo e vërtetë
gjen vend te veshët e tjetrit.
Dhe kështu, dalëngadalë,
u bëra njeriu që të gjithë njihnin.
Vetëm unë e dija
sa herë më ishte dashur
të lija veten pas
për të arritur deri këtu.
Dhe askush nuk më pyeti
nëse ia vlejti.
/QendraPress/