Çaste poetike me poetin :-Enver N. REXHAJ

NË KOHËN E EKRANEVE
——————————
I. Vargu-Dikur
Në qoftë se ia vlen të mbetem pa zë,
le të flasë një varg kur të mos jem më.
Jo për duartrokitje, as emër në gur,
por për një të vërtetë që s’plaket kurrë.
Në kohët e largëta flinte legjenda,
dashuria vishej me dritë e me ëndrra.
Sytë ishin betime, prekja ishte besë,
një puthje vlente më shumë se çdo shpresë.
II. Ekranet-Pikselë
Sot bota vishet me dritë prej ekrani,
ku zemrat takohen, por humbin horizontin.
Dashuria në internet ndizet si flakë,
por shpirti kërkon prekje, jo vetëm maskë.
Trupat bëhen fotografi, shpirtrat pikselë,
buzëqeshjet filtrohen si re nëpër qiell.
Se trupi është lumë, po shpirti është det,
dashuria pa të mbetet veç një interpret.
Sepse lëkura mban kujtime që s’i ruan ekrani,
dhe fryma nuk dërgohet me sinjal as me valë.
Një përqafim i vërtetë s’ka zëvendësim,
është poezi që s’ka nevojë për publikim.
III. Kur Fiket Rrjeti
Kur të mbyllen ekranet e të shuhet drita,
do të mbetet njeriu përballë vetmisë së tij.
E nëse një varg do të jetojë pas meje,
le të thotë veç kaq:
“Dashuria nuk banon në atë që shohin sytë,
por në atë që ruan një shpirt.”
/QendraPress/