Çaste poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

MË THUAJ…!

Poema e detit

—————————–

U ktheva te ty, o det, si një kalorës

pas beteje,

me plagë kujtimesh e ëndrra në sy;

në gjirin tënd kërkoj përsëri fëmijërinë,

si dy të dashuruar, lozim përsëri të dy.

Kur qielli zbriste mbi valët si një

përrallë

dhe dielli i artë puthte horizontin,

kujtoj mëngjeset kur luanim me

dallgë,

ndërsa unë ndiqja valët, e deti më përgjonte.

Dhe unë vij te ti, përsëri e përsëri,

me shpirtin e mbushur me këngë e mall;

se vetëm te ti gjen shpirti qetësi,

ku zemra ime bëhet dallgë e

vargu valë.

Te ti ulet e pushon edhe muza ime,

si një zog i lodhur pas një udhëtimi të gjatë;

ti më sjell këngë nga brigje të

largëta

dhe vargjet m’i ndez si yje në natë.

Kujtoj legjendat me perëndesha

të bukura,

sirenat që këndonin në brigje të harruara;

në çdo dallgë më duket se shoh një fytyrë,

në çdo shkumë – një ëndërr të bardhë.

O det, ti je kujtesa ime e pafund,

ku koha humbet gjurmët e përsëri kthehet te ti;

njëherë më përkund si fëmijë në

djep,

njëherë më thërret si kalorës në

betejë.

Kur perëndon dielli mbi ujërat e tua

dhe qielli vishet me purpur e ar,

unë të përshëndes, o breg, si mikun e vjetër

dhe të lë një varg mbi çdo valë.

Në mëngjes thith jodin, luaj me dallgët,

në muzg ndjej perëndimin e

zjarrtë;

me ty, o det, kuvendoj për ëndrrat,

në çdo valë kërkoj një mesazh të

artë.

Me ty, o det, bëj paqe me

gënjeshtrat,

se ti je miku dhe armiku im në

varg;

ti je paqe e trazuar, e dhimbshme,

ku loti dhe uji kanë të njëjtën shije në dallgë

Ti di edhe të ulërasësh në stuhi;

në gjirin tënd mban të fshehtat e mia,

ato që s’ia kam treguar askujt në

jetë;

ato i di vetëm ti, o det i

mrekullive.

Te ti, o det, shtrydh kujtimet e

mia,

me ty kuvendoj si me retë në qiell;

ti je dashuri që më ndez në shpirt,

Je zjarr që s’di kurrë të shuhet.

Te ti derdh mllefin, dhimbjen dhe

mallin,

dhe dallgët m’i marrin larg, pa zë;

tek ti ndihem i lirë, si era mbi ujë,

dhe zemra ime bëhet valë mbi det.

O det, sa herë vij në breg,

më duket se vij tek vetja ime;

ti më mëson se pas çdo stuhie

lind mëngjesi,

me dritë e hije, me shpresë e

kujtime.

Flas me detin për uraganin në

sheshe,

si mik i tregoj për retë e murme e

të bardha;

ai më qan hallet mua, unë të tijat,

më tregon për bëmat në ishuj e

oqeane.

Ëndrrën e besojmë, si dy miq të vjetër,

për luftën, për paqen, për botën

që s’fle;

zëri i sirenave lajmëron furtuna e

rrufe,

por shpresa mbi dallgë përsëri

nuk vdes.

Si me Penelopën dhe Odisenë,

pret deti kthimin e atij që u nis;

vitet kalojnë, dallgët thurin kujtime,

dhe zemra s’e harron rrugën për

në Itakën e tij.

O det, më trego ç’ke parë në udhëtime,

ç’ke fshehur në gjirin e thellë blu;

sa dashuri e sekrete ke mbajtur në brigje të largëta,

sa lot ke përkundur në dallgët e

tua.

E unë të dëgjoj në heshtjen e

muzgut,

siç dëgjon një mik rrëfimin e

mikut;

ti më jep një varg, unë të jap një

ëndërr,

dhe bashkë lundrojmë nën dritën e hënës.

Det, erdha se s’rri pa përkëdhelur

valët,

pa folur me ty, si dikur, fëmijë;

më merr, më ço të shoh ku janë thyer shpatat

në udhët e njerëzimit, ndër

shekuj histori.

Për ngushticën e Hormuzit,

pse fërgëllijnë armët?

Më thuaj, o det, pse gjithë kjo

babëzi?

Luftërat marrin jetë, hapin plagë

mbi plagë;

poetë e shkrimtarë, pse heshtin përsëri?

Më thuaj, o det, ku ta gjejmë qetësinë?

kur predha e bomba flenë ende

në gjirin tënd,

kur peshku, i trembur nga ndotja,

merr arratinë

dhe Bermudet ruajnë misterin

si një zjarr i fshehtë.

Predhat si meteorë të zinj bien

mbi valë,

shpërthimet çajnë gjoksin e

kaltër të detit;

çdo bombë ndez një diell të zi

mbi brigje,

dhe tymi mbulon yjet në qiellin e

planetit.

Por ti, o det, i mbledh të gjitha në

gjirin tënd:

lotët e njeriut, gjakun, mbetjet

dhe ëndrrat;

dhe prapë na kthen një dallgë me dritë në breg,

sikur na thua: “Mos e vrisni shpresën!”

Merri, o det, këto vargje të mia,

mbaji në gjirin tënd, mos i lër të

treten;

se ti je poema që s’mbaron kurrë,

dhe unë jam kalorësi

që gjithmonë te ti kthehem

/QendraPress/