Çaste poetike me poetin;-Faruk TASHOLLI

LEGJENDA PËR URËN E IBRIT

(Poezi satirike)

Mos e thënça unë ka se kush e thotë
Hapen gojë falltarësh që ditën s’e çojnë kot,
Ku nga TV-ja n’TV si dikur ndër oda
Veç ata e dinë kah do t’sillet bota:
Tash e 600 vjet më pas në Ballkan
Do të dalë prej dheut prapë një piroman,
Si ai Kryeshyti në Gazimestan
Që nga goja e nxori shpatën e fatit
Si ta kishte n’dorë kryet e Sulltan Muratit.
Lufta e Kosovës nuk do t’ndalet kurrë
I ka mbetë fitili fshehur në një urë,
Gjoksat bëhen gropa gojët qesin flakë
Ta ndezin fitilin shkrepsën kush s’e kapë.
Ku me kapë atë shkrepsë cila dorë e trimit
Kur Kosova rrit mitet e mallkimit?!
Se këtu historia s’i qet kokat mbarë
Tradhtari bëhët hero e heroi tradhtar,
Prapë fat i Ballkanit lidhet si dikur
Ikë prej Gazimestanit e struket nën urë!
Edhe unë i shkreti tash në dert kam ra
Fushës së Kosovës, shaj, ofshaj pa pra:
Ah moj Urë e Ibrit me izë të Europës,
Ç’u bërë si t’ishe kërthiza e botës!
Ç’ magjistar të mbylli për kaq e kaq vjet
Që çelësin e fshehu në xhepin e vet?
Turren kryeministra, kryetarë, ushtarakë
Në Bruksel ulen si delet nën rrap,
Si delet në mriz që s’dalin prej zhegut
Dielli i gushtit pa u fsheh pas bregut!
Dhe mbetet ura e mbyllur me dry
Si vend i shenjtë që pret mijëra sy
Nga mbarë bota të vijnë pelegrinë
Në Mitrovicë si aty ku ishte
Muri në Berlin!
/QendraPress/