Çaste poetike me poeten;- Emine Konushevci -DURMISHI

MË LEJO…

————————

Më lejo të të dua, o vendi dhe dheu i të parëve,

s’të prek me frymë, por të ndiej me mall e me fjalë.

Më lejo të fluturoj pa krahë, mbi krahët e tuaj,

unë jam bija jote, jo, nuk jam e huaj.

Lejomë të të them “nënë”, o vatër e prushëruar,

veç atëherë shuhet malli që më rëndon në kraharor.

Lejomë pak rreze dielli, lotët dua t’i thaj,

të ndihem në shpirt si fëmija në përqafimin e nënës, pastaj.

Më lejo të rrëfej plagën time si një histori,

që nga dita kur u largova, ndërsa mendja mbeti aty.

Më lejo të ndihem sërish si atëherë në rini,

e lindur e rritur në varfëri, por e mbështjellë me dashuri.

Lejomë të përulem para dashurisë sate pa kufi,

para kohës së artë, të mbushur me nostalgji dhe mall.

Lejomë sot e nesër të betohem në ty,

siç betohet një nënë për jetën e fëmijës së saj.

Me dashurinë për ty u plaka në këtë jetë,

me ëndërr e shpresë zgjohem çdo mëngjes.

Se një ditë, me shpirt e mendje, aty do të prehem e do të pushoj,

ku, me frymën e fundit, do ta ndiej se vërtet jetoj.

/QendraPress/