Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

LUMI QË KALON PËRMES HESHTJES

(Për fjalën)

————————

Në barkun e gurit flinte një lumë pa ujë, dhe askush nuk e dëgjonte,
sepse zhurma e qyteteve kishte mbushur veshët e erës.
Atëherë fjala zbriti si një zog pa hije, mbi supet e natës,
duke mbajtur në sqepin e saj, një pikë drite nga goja e parë e universit.

Njerëzit menduan se ishte tingull.
Por tingulli ishte vetëm lëkura.
Brenda saj lëvizte një zjarr i padukshëm,
si gjaku që kujton detin, edhe kur fle në damarë.

Herakliti rrinte pranë një lumi, që rridhte përmes vetë kohës.
Ai hodhi dorën në ujë, dhe gjeti fytyrën e vet duke u tretur.
Shih, – tha ai, uji nuk kalon, kalojmë ne.
Por turma pinte pluhur, dhe quante etjen jetë.

Në mes të agorasë, Sokrati hapi një pus me pyetje.
Njerëzit u përkulën mbi të, dhe panë jo qiellin,
por plagët e veta që lëviznin si peshq të verbër,
në fundin e ndërgjegjes.

Platoni kërkonte një diell, që nuk digjte mishin, por hijet.
Dhe çdo ide ishte një zog prej mermeri,
që kërkonte të çante vezën e botës.

Rumi erdhi natën, me një enë prej balte të thyer.
Ai mblidhte errësirën pikë-pikë, dhe e quante dritë.
Sepse ai e dinte, shërimi nuk hyn nga dera, por nga çarja.

Kanti ndërtoi një horizont prej pasqyrash.
Sa më afër i afroheshe, aq më larg bëhej qielli.
Dhe njeriu mbeti në mes, si një urë e varur
midis yjeve dhe ndërgjegjes, duke mbajtur mbi shpinë,
heshtjen e Zotit.

Lao Tzi qeshi pranë një bambuje. Ai nuk foli.
Dhe heshtja e tij, ishte më e rëndë se bibliotekat.
Sepse Tao-ja kalon gjithmonë
si era nëpër flokët e barit: e padukshme,
por gjithçka përkulet kur ajo kalon.

Niçe ndezi vetveten si rrufe.
Ai shkroi me gjak mbi murin e agimit: Mos u bëj liqen.
Sepse pellgu mban fytyra të vdekura, ndërsa lumi,
copëton edhe hënën, vetëm për ta çuar më tej.

Në pyllin e Spinozës, Zoti kishte rrënjë.
Gjethet mendonin. Guri merrte frymë ngadalë.
Dhe njeriu ishte vetëm një degë, që kishte harruar pemën.

Marcus Aurelius pinte me qetësi, nga një kupë prej hiri.
Perandoria digjej, por brenda tij
një burim vazhdonte të rridhte, pa zhurmë.
Ai e dinte se stuhia, nuk hyn dot
në dhomën ku njeriu pajtohet me veten.

Pastaj erdhi Camy, duke shtyrë një gur
përpjetë një mali pa fund.
Por kur arriti në majë, ai buzëqeshi.
Sepse guri nuk ishte dënim, ishte zemra e tij,
që mësonte ritmin e universit.

Dhe Simone Ëeil, si një murgeshë e dritës së hollë,
u përkul mbi fytyrën e tjetrit, si mbi një libër të shenjtë.
Ajo e dinte: vëmendja është forma më e pastër, e lutjes.

Tani dëgjo; nën asfaltin e botës moderne, ende rrjedh ai lum i vjetër.
Fjalët që lindin nga mendimi, janë ujëra nëntokësore.
Ato çajnë betonin e harresës, ushqejnë rrënjët e shpirtit,
dhe bëjnë që pemët e heshtjes, të japin fruta drite.

Sepse burimi nuk është larg.
Ai fle në plagën që nuk e fsheh, në pyetjen që nuk merr përgjigje,
në syrin që di të qajë pa turp, në njeriun që ecën përmes absurdit
duke mbajtur një qiri të vogël, kundër erës së pafund.

Dhe Fjala, ajo nuk vdes.
Ajo vetëm ndërron brez.

Dhe tani jemi ne ata

/QendraPress/