Çaste poetike me poeten;-Xhuli SPAHIU

Aty Ku Pret Zemra
——————————–
Shtëpia nuk është prej guri.
Është prej pritjeje.
Në dritaren që hapet çdo mbrëmje,
Nënë numëron hapat që ende nuk dëgjohen.
Koha i ka mësuar durimin,
por kurrë nuk ia ka zbehur mallin.
Fëmijët janë larg,
atje ku ditët flasin një gjuhë tjetër,
ku buka fitohet me djersë
Ku përqafimet ruhen për ditën e kthimit.
Ndërsa ajo,
çdo mëngjes shtron sofrën
me të njëjtën shpresë,
sikur dera të trokasë pikërisht sot.
Malli i një nëne
nuk ka zë,
por dëgjohet në heshtjen e shtëpisë,
në filxhanin e kafesë që ftohet ngadalë,
në fotografitë që ledhatohen me mall,
në lutjet që ngrihen drejt qiellit
me vetëm një dëshirë:
t’i shohë të gjithë pranë.
E kur vijnë nipat e mbesat,
oborri mbushet me pranverë.
Muret qeshin,
dritaret hapen më gjerë,
dhe vitet, për një çast,
harrojnë të rëndojnë mbi supet e saj.
Nëna i shikon me sytë plot dritë,
si të donte të ndalte kohën,
që asnjë çast të mos ikte,
që asnjë përqafim të mos mbaronte.
Zemra e një nëne
nuk njeh largësi.
Ajo rreh njësoj
për fëmijën që ka pranë
dhe për atë që jeton përtej gurbetit.
Kur më në fund dera hapet,
Nëna nuk pyet sa vite kanë kaluar.
I mjafton një përqafim,
një buzëqeshje,
zëri i nipave e mbesave në oborr,
që shtëpia të marrë frymë përsëri.
Dashurin e nënës për fëmijët e saj
nuk e mposht as koha,
as largësia,
as gurbeti.
Është dashuria e një nëne,
ajo dritë që pret në prag,
ajo zemër që nuk lodhet kurrë së shpresuari,
derisa të gjithë të kthehen në shtëpi.
/QendraPress/