Çaste poetike me poetin;-Rexhep F. MORINA

KURRË S’HARROHEN BIJTË

———————————————

Në istikame lufte, afrohet trimi me trimin,

Që për atdhe, ata në flamur e bënë betimin.

Brenda shpirtit të tyre, i shenjtë ish qëllimi,

Për tokën e lashtë arbërore, t’arrihet çlirimi.

Luftëtarët dëshmohen ndër beteja të rrepta,

Kur hasmin sulmonin nëpër male e kreshta.

Krahë Adem Jasharit, si kreshnikët luftonin,

Për gjuhën e flamurin, armikun ta dëbonin.

Rrugëve me zjarre, ecnin vetëm guximtarët,

Kur i kapnin armët, hidheshin mbi vrastarët.

Kështu qëndruan kudo, djemtë e Dardanisë,

Për besën dhe nderin, t’sillnin rrezet e lirisë.

Marshimin në fronte, nuk e ndalën luftëtarët,

Përballë të keqes së madhe ishin çlirimtarët.

Kurrë s’harrohen bijtë, që ndoqën gjakatarin,

Për një komb e një atdhe, shporren barbarin.

/QendraPress/