Çaste poetike me poeten;- Age Bilani LUKA

Ti, o lot, që ma prish gjumin,

——————————————

aman, më thuaj ç’të rëndon?

Mos vallë malli i zemrës

ka aq peshë sa rrëke shkon?

Më thuaj, lot, a e pyete shpirtin

ç’është kjo plagë që e mundon,

që çdo natë ma vjedh qetësinë

e pa gjumë agun ma zgjon?

Ky kurbet qoftë mallkuar,

që na la vetëm në shtëpi,

por të lutem, o Zot i Madh,

bekoji me shëndet e mbarësi.

Drita del e s’ka zëra fëmijësh,

hesht oborri, hesht çdo derë,

malli ndizet si zjarr në kraharor,

e sytë presin me i pa njëherë.

Në çdo prag që hesht pa hapa,

pikon loti sikur shi

dhe shtepia nuk e don heshtjen,

don të ketë jetë dhe dashuri.

Dhe kur nata shtrin velin e saj,

e vetmia troket ngadalë,

emrat e fëmijëve bëhen lutje

që zemra i pëshpërit me mall.

S’ka pasuri që e shuan mallin,

as rrugë që zemrën e qetëson,

veç një përqafim i fëmijëve

çdo plagë të jetës e shëron.

/QendraPress/