Çaste poetike me poeten;-Majlinda PAJAJ

Rezistenca e Ekujlibrit
———————————–
Mos më kërko ta përkufizoj gruan,
sepse alfabetet janë tepër të vegjël,
për të shqiptuar gravitetin e saj.
Ajo është boshti i padukshëm,
mbi të cilin rrotullohet durimi,
një planet që fsheh tërmetet,
nën livadhet e buzëqeshjes.
Koha i ka gdhendur plagët,
si lumenj të fshehtë në mermer,
por askush nuk dëgjoi,
si guri mësoi të qante pa zë.
Dhimbjen nuk e var në dritare,
që ta shohin kalimtarët,
e mban si një diell të eklipsuar,
që digjet vetëm nga brenda,
ndërsa jashtë shpërndan pranverë.
Era i kalon mbi supe,
si një prift i lashtë,
që bekon hirin e zjarreve të shuar,
ajo i lë britmat,
të treten nëpër degët e ajrit,
sepse nuk pranon,
t’i ndërtojë urrejtjes një shtëpi në zemër.
Gjunjët e saj,
janë dy kontinente të lodhura,
ku janë ulur shekujt të pushojnë.
Megjithatë,
ajo ecën,
jo sepse rruga është e lehtë,
por sepse toka,
ka nevojë për hapat e saj,
që të mos harrojë ekuilibrin.
Brenda shpirtit,
zhvillohen luftra pa flamuj,
shpatat përplasen me heshtjen,
dhe çdo fitore,
ka fytyrën e një humbjeje.
Megjithatë,
ajo zgjohet çdo agim,
me një shpatë drite në duar,
edhe kur nata,
ia ka ndryshkur ëndrrat.
Gruaja…
është ura që mbetet në këmbë,
edhe pasi lumi,
ka harruar emrin e brigjeve,
është harku,
mbi të cilin kalojnë brezat,
pa e ditur,
se po ecin mbi sakrificën e saj.
Ajo nuk është vetëm forcë,
forca lodhet,
ajo ëshrtë ligji i fshehtë,
që e bind rrënojën,
të mbaj ende qiellin,
kur bota shembet,
ajo nuk kërkon duartrokitje,
mbledh gurët,
i vendos mbi plagë,
dhe ndërton një horizont të ri,
Sepse gruaja,
nuk lind për të sfiduar stuhitë,
ajo lind,
që edhe stuhitë,
të mësojnë,
si mbahet në këmbë një qiell.
/QendraPress/