Çaste poetike me poeten;- Arbana ARBA

Atje ku zgjohet ndjesia
———————————–
Në fakt, dashuria ime është ndjesi,
te e veçanta dallon
në gjërat më se të zakonshme.
Në rrezet e para,
që bryjnë vesën
dhe ëndrrën time e zgjojnë.
Në mbrëmjen shpatullrënduar,
ku arratisjen kërkon në gjumë,
në palosjen e një flete libri
dhe mendimin që vagëllon atje tej,
në ndjesi kujtimesh,
kur fëmijëria më përkundej
prej përkëdheljes së nënokës,
shami e bardhë.
Dashurinë ma sjell
fëshfërima e erës ledhatuese,
që në vesh më belbëzon
në rrokje ndërrime stinësh.
Ah, prej dashurisë magjepsem
nga puthja e sime vogëlushe,
ashtu e ngrohtë, e ëmbël,
si një nënkresë e fildishtë,
shpirtin tim e mbulon.
Dashuria ime je dhe ti!
/QendraPress/