Çaste poetike me poeten:-Blertë Tmava VESELAJ

Portat e ferrit

————————————

Portat e ferrit u hapën

Këtë herë po nisem me dëshirë

Herë të tjera kur atje isha

Nuk më kishte pyetur kush për dëshirë

Me hapa të shpejtë drejt pamëshirës

Ku fryma të humbet në zjarret pa shpresë

Ku sytë i mbyll si e fundit herë

Gjithçka e lindur brenda të vdes

Po nisem drejt ferrit, ndoshta nuk kthehem më

Se edhe këto ditë në ferr po i frymoj

Asnjë dorë e zgjatur, asnjë fjalë e thënë

Për shpirtrat e mëdhenj bota dritë nuk ka

Ndaj, ferr, më hap krahët, në ty të shpresoj

Në ngrohtësinë e flakës tënde një ditë të jetoj

Edhe pse pa frymë, pa freski, pa shpirt

Të paktën flakët tua do të më falin dritë.

/QendraPresss/