Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

ANTISHËMBËLLTYRA E FJALËS

———————————————–

Me skafandër vishte fjalën, para se ta nxirrje
në arenën e mendimit; se jashtë,
ajri ishte mbushur me helme
që nuk vrasin trupin, por kuptimin.

Dil në sheshin e mendjes
me një mijë shigjeta përballë,
me një mijë harqe të padukshme
të tendosura nga smira, dhe mos pyet
nga cili drejtim vjen goditja, ligësia nuk ka fytyrë,
ajo ka vetëm një shpinë, ku fsheh frikën e vet.

Fjala ecën zbathur, mbi tehun e kohës,
ndërsa pas saj, zvarriten hijet
e atyre që nuk mundën, ta ndërtonin dritën
dhe vendosën ta gjuanin.

Smira është virus i shpirtit:
nuk të sëmur për të të rrëzuar,
por të ndryshon pasqyrën
që të mos e njohësh më veten.

Prandaj, kur harku i ligësisë
i turret shpinës së vargut,
mos u kthe.

Ka beteja, që humben pikërisht atëherë
kur i jep armikut, fytyrën tënde.

Lëre shigjetën, të bjerë mbi heshtje.
Heshtja ka një fuqi, që ligësia nuk e kupton;
ajo nuk kundërshton, por dëshmon.

Dhe fjala, nëse është lindur nga mendimi,
nuk ka nevojë të mbrohet, me zhurmë.

Ajo mbijeton, si rrënja nën gur,
si drita pas perëndimit, si e vërteta
që edhe kur e mbulojnë me baltë,
vazhdon të ketë, formën e qiellit.

Ruaju, pra, nga pritësit e fjalës.

Jo sepse janë të fuqishëm, por sepse kanë frikë
nga ajo që nuk mund ta shkatërrojnë.

Ligësia godet, pikërisht aty ku sheh
një shëmbëlltyrë, të asaj që vetë
nuk mundi të bëhej.

Prandaj, mos u tremb kur të godasin.

Ndonjëherë shigjeta nuk dëshmon

dobësinë e shënjestrës,
por frikën e harkut.

Dhe antishëmbëlltyra, është kjo,

ata që nuk mundën të bëhen dritë,
përpiqen ta plagosin pasqyrën.

Por pasqyra nuk hakmerret.

Ajo vetëm tregon
fytyrën që qëndron përballë saj.

2026

/QendraPress/