Çaste poetike me poeten;-Jetina BUSHI

BRETKOSA
————————
U ula buzë pellgut me ujë të turbullt,
me oqeanin që ende më pikonte nga rrobat,
dhe …deshiroja t’i tregoja për dallgët.
Por ajo thjesht rrinte aty,
mbi një gjethe që kalbej ngadalë,
duke matur qiellin me diametrin e pellgut të saj.
Aty e kuptova filozofinë e saj të ngushtë
për të, oqeani nuk është thjesht i pamundur,
oqeani është një fyerje për mbretërinë e saj prej balte.
Nuk ka asnjë faj amfibi i vogël
që s’e koncepton dot pafundësinë e kripur;
faji është i imi, që harxhova frymën
duke kërkuar një det në një pëllëmbë ujë.
E lashë në rehatinë e saj të qelbur,
sepse kuptova që njerëzit, si bretkosat,
mbyten… po njëlloj,
por ama vdesin të bindur se pellgu i tyre ishte i vetmi oqean!
/QendraPress/