E diela poetike me poeten;Erina ÇOKU

MOS THUAJ SE KE DASHURUAR

———————————————-

A të kanë qarë të dy sytë njëherësh,

njëri nga gëzimi i gjetjes dhe tjetri nga frika e humbjes?

A e ke ndier trupin të shpërbërë

në mozaikë që nuk puthiten më siç qenë,

shpirtin me njëqind degë të reja

e njëmijë rrënjë të ngrëna,

sytë të mëdhenj, aq të mëdhenj

sa ta nxënë njeriun pa përthyerje,

e ta mbajnë ngrohtë në guvat e lumtura plot lëng?

A ke kënduar ninulla duke mbledhur lule?

A i ke klithur boshit, motit, territ, dritës?

A ke qenë një bishë në kafaz,

një fëmijë në lëndinë, një i moçëm fatthënës,

një njeri, një shpend, një insekt, një gur,

shi në hënë, hënë në mur, mur nën çati

e themel me plasa?

A të janë thyer e ngjitur eshtrat

sa herë zemra ka dalë e hyrë me forcë në kraharor?

A i ke ndier bulat e gjithësisë në trup?

Shpërthyer në spazma të nxehta,

frymë në ftohmë e hi për erë?

A ke menduar se njeriu që do

mund të humbë

një dorë e ti ta duash,

dy duar e ti ta duash,

një këmbë e ti ta duash

dy këmbë e ti ta duash

flokët, zërin, veshët, sytë,

e ti të vazhdosh ta duash,

ta duash edhe të shndërruar

në një pikë të parëndësishme në hapësirë?

A e ke lënë të shkojë duke i heshtur e kënduar?

A e ke duruar mallin duke e mallkuar e uruar?

A e ke ëndërruar duke e kafshuar e puthur?

A e ke tretur duke qarë e qeshur

me vdekje të vogla brenda gjallimit tënd?

A je ndjerë dhe ti një pikë që tretet?

A je shpërthyer prej pikës e je bërë njeri sërish nga e para?

Mos thuaj se ke dashuruar (dëgjon?),

se do të qesh me të madhe,

me sytë e mi të pikëlluar.

/www.qendrapress.com/