Vjosa Osmani nuk e fali asnjë të burgosur as për Vitin e Ri, as për 17 Shkurt – po e shqyrton tani
Është zor e imagjinueshme të mos i ketë kujtuar vuajtjet e Adem Demacit sa ishte në burg, kur e nderoi veprimtarin në ditën e pavarësisë. Por, më 17 shkurt, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani nuk u mor fare me të burgosurit aktual në vend.
Pavarësisht të drejtës që ia garanton kushtetuta, ajo as për 17 shkurt, as për Vitin e Ri dhe as për ditë tjetër që nga 5 nëntori kur e mori detyrën, nuk ka falur ndonjë të dënuar. Në zyrën e saj, paralajmërojnë vendime në të ardhmen.
“U.d. Presidentja Vjosa Osmani nuk ka marrë vendim për falje të të burgosurve. Do të mblidhet Komisioni përkatës në të ardhmen e afërt për shqyrtim të kërkesave për falje”, thuhet në përgjigjen e këshilltarit për media të U.D Presidentes, Bekim Kupina për Klan Kosova.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, që nga 1 janari i vitit 2021 vetëm 9 persona kanë paraqitur kërkesë për falje pranë Zyrës së Presidencës.
Por nga ky institucion bëhet e ditur se në sirtarë të presidencës janë të trashëguara edhe kërkesa që u shkuan sa në krye të shtetit ihte Hashim Thaçi, plot 384 kërkesa pa përgjigje vetëm nga viti 2020.
Këtë praktikë, drejtuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e sheh si demotivim për të mbyllurit brenda qelive. Behxhet Shala madje thotë se përnjëherë tani do të mund të liroheshin 200 deri në 300 të burgosur për shkak të sjelljeve të mira.
Praktikë të mos-faljes pati ndjekur edhe Atifete Jahjaga e cila prej 2014-ës deri në përfundim të mandatit nuk e fali askënd., derisa listës për të falur, i prinë Jakup Krasniqi i cili më 2011-ën pati falur 103 të burgosur.