S’ka datë për takimin e liderëve, Hoti shpreson të gjendet një zgjidhje për Presidentin

0

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, as sot nuk ka dhënë datë për takimin e liderëve politikë, lidhur me postin e Presidentit.

Ai tha se shefi i tij partiak, Isa Mustafa, është duke bërë përpjekje që zgjidhja të gjendet në tavolinë, ndërmjet partive politike.

Hoti shpreson që takimi të ndodh sa më parë, në mënyrë që të shihet nëse ka vullnet për të tejkaluar situatën në të cilën gjendet vendi.

“Jemi duke bërë përpjekje që sa më parë të ndodh një takim i gjitha forcave politike për këtë çështje, pa paragjykuar asnjë gjë. Disa prej partive politike kanë dhënë pozicionet e tyre sa i përket zgjedhjes së presidentit, por nuk ka ndodhur ende një takim formal”.

“Jemi duke u angazhuar që ky takim të ndodh sa më shpejt. Kryetari Mustafa është duke u marrë me këtë çështje, shpresoj që ky takim të ndodh sa më parë. Vetëm në tavolinë të partive politike parlamentare të gjendet zgjidhja, të shohim në se ka vullnet për të tejkaluar këtë situatë, ose të tregojnë maturinë e nevojshme politike për të dalë nga kjo situatë e cila jemi”, tha ai.

Krahas kësaj, kryeministri Hoti komentoi edhe arrestimin e dy qytetarëve nga policia kufitare serbe në Podujevë, ku tha se janë duke i ndjekur rrugët zyrtare përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.

“Zyra jonë ndërlidhëse në Beograd është marrë, i ka ndjekur procedurat për të kërkuar informacion për dy qytetarët e Kosovës që janë arrestuar, gjoja në pjesën serbe. Besoj që shumë shpejt do të kemi informata të detajuara. Jemi duke i ndjekur rrugët zyrtare përmes zyrës sonë ndërlidhëse, sigurisht edhe me mbështetjen ndërkombëtare”, tha ai.

Këto komente Hoti i bëri pas nënshkrimit të kontratave të para të përfituesve të Programit për Zhvillim Rural 2020-21, nga ministria e Bujqësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *