Çaste poetike me poeten;-Drita Rubjeka ZENELI

Liqeni i Shkodrës
——————————
Në skenën e madhe liqeni këndoi jaret e qytetit,
Me zërin e erërave që zbresin nga malet,
Me lahutën e kallamishteve,
Në festë me lumenjtë dhe detin,
Me flatërbardhët valltarë, shpendët shtegtarë,
Me yjet që shuajnë etjen netëve të verës,
Në skenën plot dritë që lind mbi Tarabosh,
Me agimet e hershme të peshkatarëve,
Nën retë e bardha, spektatorë të lartësive,
Në brinjën e baladës së gurit,
Përzier me qumështin e përjetshëm të Rozafës,
Pranë djepit që e nanurit prej shekujsh me jare,
Syri blu i kufijve,
Me frizurë zambakësh uji,
O këngë e natyrës,
Me medalionin blu të qëndisur në trofetë e botës…
/QendraPress/