Improvizuesit e shekullit të ri, rrënuesit e së ardhmes .

Edhe sivjet viti i ri shkollor nis i papërgatitur nga obligimet ligjore që i ka ministria e arsimit. Përderisa ditën e nesërme i gjithë komuniteti arsimor i komunës së Prizrenit fillon mësimin, ministria e arsimit nuk iu ka dërguar komunave dokumentacionin shkollor.

Pra, mungon komplet dokumentacioni shkollor e kurrikular, të cilin deri më sot është dashur ta sigurojë ministria. Filluar nga Ditari i Klasës e deri tek format tjera me të cilat mësimdhënësit menaxhojnë orët mësimore dhe udhëheqësit e shkollave menaxhojnë shkollat. Shkollat e komunës sonë detyrohen të shkruajnë nëpër fleta dhe fletore personale, sikurse në vitet e rezistencës së para luftës. E kemi ditur se kjo qeverisje aktuale nuk di të qeverisë, por di të improvizojë e të provojë a di të qeverisë apo jo, por se që do t’i detyrojë edhe komunat të improvizojnë nuk e kemi pritur. Shteti nuk provohet, nuk improvizohet, por qeveriset me kompetencë. Mos sigurimi me kohë i dokumentacionit shkollor vetëm sa e sfidon komunitetin arsimor të komunës sonë, duke shkaktuar vonesa në evidentime dhe arkivim të proceseve arsimore brenda shkollave, me çka cenohet edhe cilësia e menaxhimit të proceseve mësimore dhe të shkollave.

Mos të flasim për mungesën e përvitshme të dokumentacionit shkollor të komuniteteve joshumicë, komunitete të cilat i detyron të improvizojnë deri në atë masë sa u cenohet edhe identiteti.

Sinqerisht kjo qasje destruktive e ministrisë së arsimit ndaj komunave ka vetëm dy shpjegime: 1) ose janë komplet jokompetentë; 2) ose kanë agjendë për ta rrënuar sistemin e arsimit të cilin mezi e ngritëm. Dua ta besoj të parën. Edhe ashtu, në këtë aspekt për të cilin shkruaj, na e sollën situatën sikurse në vitet e para luftës.Shkruan në faqene sajë elektronike drejtoresha e Arsimit në Prizren Luljeta Veselaj Gutaj./QendraPress/